Zhytësja turke Sahika Ercumen, mbajtëse e rekordit botëror në zhytje të lirë, ka zhvilluar një zhytje të veçantë në ujërat e Demres, në Antalya, duke u shoqëruar nga një breshkë deti.
Përmes këtij aktiviteti, ajo synoi të përcjellë një mesazh për mbrojtjen e ekosistemit detar dhe rreziqet që i kanosen gjallesave nga ndotja dhe aktiviteti njerëzor.
Ercumen, e cila është edhe ambasadore për nismën “Zero Mbetje” dhe avokate e UNDP Turqi për “Jetën nën Ujë”, u zhyt në zonën Çayagzi, ku pati mundësinë të qëndronte pranë breshkave të detit.
Sipas saj, këto kafshë përballen me rreziqe që në momentet e para të jetës. Ndriçimi artificial dhe shezlongët në plazhe, veçanërisht në zonat e mbrojtura, mund të ndikojnë te breshkat gjatë periudhës së vendosjes së vezëve dhe t’i çorientojnë ato.
Trafiku detar, shpejtësia e varkave dhe mbetjet plastike përbëjnë një kërcënim serioz për to. Ercumen tha se gjatë zhytjeve të saj ka parë në shumë raste gjurmë të shkaktuara nga helikat e varkave në trupat e breshkave.
Ajo solli në vëmendje edhe rrezikun e plastikës, duke shpjeguar se një qese plastike mund të ngatërrohet me një kandil deti dhe të gëlltitet nga breshkat. Një veprim i tillë mund të shkaktojë bllokim të zorrëve dhe, në raste të rënda, ngordhjen e tyre.
Ercumen u ndal edhe te marrëdhënia mes njerëzve dhe breshkave të detit, duke theksuar se ato nuk kanë prirje të sulmojnë njerëzit. Sipas saj, afrimi i tyre mund të lidhet me faktin se në disa raste ushqehen nga njerëzit.
“Prandaj, nuk duhet të ndërhyjmë në asnjë mënyrë. Gjithashtu, nuk duhet t’i ushqejmë”, tha ajo.
Gjatë zhytjes, Ercumen u shoqërua nga një breshkë e gjelbër deti e quajtur “Mahmut”. Breshka është hasur rregullisht prej rreth pesë vitesh nga zhytësi Sercan Demirkaya.
Për Ercumen, rikthimi pranë së njëjtës breshkë ishte një moment i veçantë. Ajo theksoi se respektimi i hapësirës së gjallesave detare krijon mundësi për një bashkëjetesë harmonike mes njerëzve dhe natyrës.
“Kjo botë është e të gjithëve. Të mbrojmë shtëpinë e përbashkët”, ishte mesazhi i saj.
