“Ardhja e ambasadorit wendt tregon një qëndrim të qartë të SHBA”, kështu u shpreh analisti Ermal Hasimja në një intervistë në “News24”.
Gjatë intervistës analizoi edhe situatën në Partinë Demokratike dhe partitë e vogla, ku ai theksoi se nuk po punojnë për interesat e vendit, por duket sikur janë në luftë me njëra tjetrën.
“Politika e jashtme amerikane është e interesuar që në Shqipëri të ketë stabilitet dhe të mos shërbejë si bazë e grupeve kriminale që ushtrojnë aktivitetin e tyre edhe në SHBA. Por SHBA dhe BE janë ndikim tek ne, por duhet thënë se sa më të dobëta kanë qenë politika qytetarët shqiptarë kanë besuar faktorë të jashtë, dhe mirë kanë bërë. SPAK ka bërë një punë të jashtëzakonshme, por pritshmëritë janë edhe më të mëdha. Ndërsa opozita ka disa probleme, e para është se të gjitha janë në luftë me njëra-tjetër, në luftë më PD edhe partitë e vogla po ashtu, ndërkohë që ne jemi në një situatë emergjencë kombëtare. Problemin nuk e kanë vetëm me Berishën, por edhe me njëri-tjetrin. Partitë e vogla po gjuajnë peshk në të njëjtin rezervuar, kritikojnë Berishën, por prodhojnë të njëjtin model. Krimi i organizuar ka marrë pushtetin në dorë dhe detyra madhore e opozitës është të shikojë interesin e vendit dhe këtë nuk po e bëjnë. Opozita për hir të interesit kombëtar duhet të dalë me një kandidat të vetëm për Tiranën”, tha ai.
Më tej u ndal edhe te protesta që mbahet për 121 ditë me radhë kundër kryeministrit Edi Rama. Ai shtoi se protesta ka pasur një efekt të jashtëzakonshëm në politikë
“Në protestë janë pesë apo gjashtë grupe të ndryshme. Dhe asnjë nuk dëshiron të humbasë pozicionin që ka. Pjesa tjetër që del aty , del për hir të interesit të vendit. Forumi i dialogut po organizon një tryezë me intelektualë. Do të shihja diçka ndryshe, duhet ndërtuar një sistem i cili të mos jetë i varur nga integriteti i kryeministrit, por të kenë rolin e tyre. Këtu është ndërtuar një sistem që i jep pushtet të jashtëzakonshëm kryeministrit. Por sistemi duhet të ridizenjohet që të mos ketë rëndësi kush është kryeministri. Protesta, ka luajtur rol madhështor në politikë. Ka ushtruar presion publik ndaj SPAK por edhe e ka mbrojtur dhe inkurajuar. Protesta ka qenë një shkollë demokracie. ka larguar të rinjtë nga Rama.”, tha ai.
