Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, deputetja Ina Zhupa, zhvilloi një takim me delegacionin e Bundestagut gjerman, të kryesuar nga Anja Karliczek, ku diskutoi mbi situatën aktuale në Shqipëri, duke vënë theksin te mungesa e transparencës dhe konsultimit publik, korrupsioni dhe skandalet e njëpasnjëshme të qeverisë.

Zhupa ngriti gjithashtu shqetësimin për planet e betonizimit të territorit, projektet në zonat e mbrojtura, problematikat e evidentuara në librin “The Albanian Files” dhe mosvullnetin e qeverisë për shfuqizimin e ligjit 21/2024, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes gjermane për demokracinë, shtetin e së drejtës, transparencën dhe mbrojtjen e mjedisit.

Statusi i Ina Zhupës:

Takim me delegacionin e Bundestagut gjerman, të kryesuar nga Anja Karliczek!

Në takimin me delegacionin e Bundestagut gjerman, të kryesuar nga znj. Anja Karliczek, i informova mbi gjendjen aktuale të vendit, me fokus të veçantë te mungesa e transparencës, konsultimit publik, korrupsioni në rritje dhe skandalet e njëpasnjëshme të qeverisë që janë bërë pengesë për integrimin europian.

U ndala veçanërisht te roli që duhet të ketë një mjedis i qëndrueshëm për një turizëm të qëndrueshëm, duke i informuar mbi planet betonizuese të Edi Ramës, librin “The Albanian Files”, projektet në zonat e mbrojtura dhe mosvullnetin e qeverisë për të shfuqizuar ligjin 21/2024. Protesta 121 ditore e shqiptarëve është e drejtë dhe ka mbështetjen e opozitës shqiptare.

Gjermania është një partner i rëndësishëm i Shqipërisë në rrugën e integrimit europian. Mbështetja e saj për forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, transparencës dhe mbrojtjes së mjedisit është shumë e rëndësishme për vendin tonë.

I falënderova për kontributin e deritanishëm dhe shpreha gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb