Estonia ka ngritur nivelin e alarmit të sigurisë pas një tentative për sabotim ndaj një kompanie vendase që prodhon dronë dhe sisteme mbikëqyrjeje, sulm që sipas autoriteteve ishte urdhëruar nga inteligjenca ruse. Kryeministrja Kristen Michal deklaroi se vendi po shqyrton edhe mundësinë e mbylljes së kufirit me Rusinë, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe sigurisë kombëtare.

Objektiv i sulmit ishte kompania estoneze Threod Systems. Sipas Shërbimit të Sigurisë së Brendshme të Estonisë, tentativa ndodhi në orët e para të mëngjesit të së shtunës dhe kishte si synim shkaktimin e një shpërthimi dhe vënien e zjarrit në ambientet e kompanisë.

Kryeministrja Michal bëri të ditur se sulmi u parandalua pa shkaktuar dëme të mëdha, falë masave të shtuara të sigurisë dhe reagimit të shpejtë të forcave të rendit. Ajo konfirmoi gjithashtu se personat e dyshuar janë ndaluar, ndërsa mediat lokale raportojnë për tetë të arrestuar në lidhje me ngjarjen.

Në një reagim në rrjetet sociale, kryeministrja estoneze e cilësoi incidentin pjesë të fushatës më të gjerë hibride të Rusisë kundër vendeve evropiane.

“Kjo është pjesë e luftës më të gjerë hibride të Rusisë kundër Evropës, me qëllim uljen e mbështetjes për Ukrainën dhe ushtrimin e presionit mbi Rusinë”, deklaroi Michal.

Ajo shtoi se Estonia po përgatitet edhe për mundësinë e mbylljes së kufirit me Rusinë, në mënyrë që të reduktojë rreziqet për popullsinë dhe sigurinë kombëtare.

Threod Systems, e themeluar në vitin 2012, është një kompani e specializuar në zhvillimin dhe prodhimin e avionëve pa pilot dhe sistemeve të mbikëqyrjes. Ajo prodhon, ndër të tjera, dronët Eos dhe pajisjet elektro-optike eOpic, ndërsa selinë e ka në Viimsi, pranë kryeqytetit Talin.

Ky nuk është incidenti i parë i këtij lloji që prek industrinë estoneze të mbrojtjes. Në gusht, një tjetër kompani e sektorit, Milrem Robotics, u bë objekt i një sulmi me zjarrvënie. Zyrtarët estonezë kanë deklaruar se edhe ai sulm ishte urdhëruar nga shërbimet speciale ruse.

Dyshimet për përfshirjen e inteligjencës ruse lidhen me aktivitetin e Drejtorisë Kryesore të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Rusisë, e njohur si GRU. Kjo agjenci ushtarake dyshohet se qëndron pas disa operacioneve hibride në territorin evropian, ku në disa raste janë rekrutuar persona lokalë për të kryer misione sabotimi.

Estonia, e cila ndodhet në krahun lindor të NATO-s dhe kufizohet me Rusinë, është ndër vendet më të ekspozuara ndaj kërcënimeve të sigurisë që lidhen me luftën në Ukrainë. Vitet e fundit, në rajonin baltik janë raportuar gjithnjë e më shumë sulme kibernetike, ndërhyrje me dronë dhe përpjekje për sabotim, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e vendeve të NATO-s.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb