Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro deklaroi sot se bashkërendimi mes institucioneve është i domosdoshëm për garantimin e sigurisë në shkolla, duke theksuar rolin e figurave brenda sistemit arsimor, si oficerët e sigurisë, psikologët dhe punonjësit socialë.
Duke folur për Paketën e Sigurisë në Shkolla, Kumbaro u ndal te bashkia Kamzë, të cilën e cilësoi si një zonë me dendësinë më të madhe të popullsisë dhe me një komunitet të ardhur nga treva të ndryshme të Shqipërisë.
“Bashkia Kamzë është bashkia me dendësinë më të madhe të popullsisë. Por është interesante sepse është si një Shqipëri e vogël, sepse në Kamzë ka popullsi që vjen nga të gjitha trevat e Shqipërisë”, tha Kumbaro.
Sipas saj, shkolla duhet të jetë modeli më i mirë i bashkëjetesës kulturore, ndërsa ndryshimet në origjinë duhet të shërbejnë si ura komunikimi.
“Shkolla duhet të jetë modeli më i mirë i kësaj bashkëjetese kulturore, origjinat duhet të na bashkojnë dhe t’i kthejmë në ura komunikimi”, u shpreh ministrja.
Kumbaro theksoi se diferencat mund të sjellin edhe përplasje e tensione, duke vënë në qendër të vëmendjes sigurinë e nxënësve, mësuesve dhe vetë procesit arsimor.
“Por ndonjëherë diferencat sjellin përplasje, përplasjet sjellin tension dhe vënë në dilemë atë që kemi më të rëndësishme në shkollë, sigurinë. Sigurinë e nxënësve, të mësuesve, sigurinë e vetë procesit arsimor”, tha ajo.
Në këtë kuadër, ministrja veçoi rolin e oficerit të sigurisë në shkollë, si një prej figurave të rëndësishme për garantimin e qetësisë dhe sigurisë së fëmijëve, krahas psikologëve dhe punonjësve socialë.
“Oficeri i sigurisë është një ndër ato figurat kyçe brenda shkollës që tregon se në politikëbërje i japim dimension shumë të rëndësishëm qetësisë dhe sigurisë së fëmijëve në shkolla”, u shpreh Kumbaro.
Ajo theksoi se gjatë 10 viteve të fundit janë shtuar figurat profesionale të pranishme në shkollë, me synim krijimin e një mjedisi më të shëndetshëm për nxënësit.
“Ne nuk ia dalim dot vetëm. Tani me programin ‘Pas Shkolle’ do shtohen orët e qëndrimit në shkollë, sepse është mjedisi që edukon, mjedisi i sigurt, ku rrini më shumë me njëri-tjetrin edhe në kuptim social”, tha Kumbaro.
Ministrja theksoi se mjedisi edukues nuk kufizohet vetëm te shkolla, por përfshin edhe shoqërinë, lagjen, qytetin dhe familjen.
Sipas saj, pas një pune të gjatë është diskutuar mes katër ministrive ndarja e detyrave për krijimin e një mjedisi sa më të shëndetshëm dhe të sigurt në shkolla.
“Pas një pune shumë të gjatë ku kemi diskutuar, ne, katër ministra kemi ndarë detyrat për të forcuar një mjedis të shëndetshëm dhe sa më të sigurt për shkollën”, tha ajo, duke iu referuar bashkëpunimit me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
“Ky bashkërendim është i domosdoshëm edhe për t’u dhënë qetësi prindërve në momentin që i dërgojnë në shkollë, i kanë lënë në duart e institucioneve. Qoftë policia, qoftë sistemi që po instalojmë i kamerave inteligjente”, tha Kumbaro.
Ajo bëri të ditur se, krahas sistemit të kamerave inteligjente, në rreth 20 shkolla në Kamzë dhe Tiranë funksionon edhe rrjeti i kamerave tradicionale.
