Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar përmes një videomesazhi nga Strasburgu, ku tha se gjatë qëndrimit të tij ka paraqitur zhvillimet politike në Shqipëri dhe Serbi.

Në deklaratën e dhënë për Monada Mehmetaj Myshketa, Berisha u ndal te situata në Serbi, duke deklaruar se figura e Ratko Mlladiçit po përdoret në fushatën elektorale në mbështetje të presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

“Paraqita zhvillimet dramatike në Shqipëri, por edhe në Serbi. Denoncova faktin se fantazma e kasapit të Bosnjës, Ratko Mlladiç, po bën fushatë elektorale për Aleksandar Vuçiç dhe kjo është fyerje e rëndë për mbarë njerëzimin”, u shpreh Berisha.

Më tej, kreu i PD-së tha se në takimet e tij është fokusuar te situata politike në Shqipëri dhe te ato që ai i cilësoi si pasoja të qeverisjes së Edi Ramës.

“Sot u ndala te pasojat shkatërrimtare të narkoshtetit që Rama ndërtoi në Shqipëri mbi kombin shqiptar, një rrezik i paparë në historinë e vendit. Paraqita fakte e dëshmi që tregojnë se narkoshteti shqiptar është më klasik se çdo narkoshtet tjetër”, deklaroi ai.

Berisha tha se përpjekjet e tij do të vijojnë për të paraqitur jashtë vendit atë që ai e konsideron realitetin politik të Shqipërisë.

Në videomesazhin e tij, kreu i opozitës foli edhe për diasporën, duke deklaruar se Partia Demokratike ka një projekt për integrimin e saj në fusha të ndryshme, si dhe për rikthimin e shqiptarëve të diasporës në vend.

“Vazhdojmë përpjekjet për të paraqitur realitetin e Shqipërisë siç është. Për diasporën kemi projekt të qartë, si për integrimin në të gjitha fushat, por dhe rikthimin e saj në Shqipëri”, tha Berisha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: