Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se përgjegjësia e tij politike përfundon aty ku nis puna e drejtësisë, rederuar skandaleve të fundit me SHISH, Vlora hyseni, Ergys Agasin, ish-zëvendës kryeministren Belinda Balluku. Rama solli si shembull Francën, duke iu referuar rastit të një ministri që, sipas tij, u përball me akuza të rënda, por nuk u largua menjëherë nga detyra dhe më pas u shpall i pafajshëm.
“Sot jetojmë në demokraci dhe ajo që kemi detyrë të bëjmë, është të ndajmë me publikun qëllimet, të tregojmë se çfarë duam të bëjmë me mbështetjen e publikut dhe me fondet që mblidhen nga taksat, të japim llogari për mënyrën se si e bëjmë dhe pastaj cilido që tradhton qëllimin e shpallur dhe të përbashkët, duhet të përballet me pasojat në anën tjetër të sistemit, që është pushteti i pavarur gjyqësor. Kështu funksionon demokracia, që të mos ju lodh me shumë të tjera, Franca është një vend demokratik, është një vend padiskutueshmërisht i fortë nga pikëpamja institucionale; në Francë ministri i Drejtësisë u akuzua për pedofili, nuk u largua nga detyra; presidenti nuk mori asnjë përgjegjësi tjetër përveçse përgjegjësisë që t’i kërkonte drejtësisë që të bënte punën e vet. Në fund fare, procesi ministrin e nxori të pafajshëm dhe ai vazhdon të jetë në detyrë. E çfarë diskutojmë ne këtu? Këto janë mënyra dhe janë qasje të cilat secili i bën sipas vendit, ama në rastin tonë një gjë është e sigurtë, askush nuk merret në mbrojtje kur vjen puna për tu përballur me pasojat e një veprimi që hyn në sferën e pushtetit gjyqësor, në sferën e hetimit apo të gjykimit të pavarur. Këtu fillon dhe këtu mbaron ajo që është përgjegjësia ime politike, të tjerat pastaj janë të gjitha diskutime që kanë meritën e tyre, por që nuk kanë asnjë interes për mua.
Kryeministri e përdori krahasimin për të argumentuar se përballja e një zyrtari me drejtësinë nuk duhet të përkthehet automatikisht në përgjegjësi të kreut të qeverisë.
“Këto janë qasje që gjithkush i bën sipas vendit, por në rastin tonë askush nuk merr në mbrojtje dikë që hyn në sferën e gjyqësorit. Këtu nis dhe mbaron përgjegjësia ime politike”, tha Rama.
Balluku vijon të jetë në qendër të debatit për çështjet e saj me drejtësinë. Rama ka këmbëngulur se institucionet duhet të bëjnë punën e tyre dhe se përgjegjësia penale është individuale.
