Nga Genc Pollo*

Në Selanik në qershor 2003, Bashkimi Evropian bëri një premtim që tingëlloi historik dhe i pakthyeshëm. Krerët e shteteve dhe të qeverive deklaruan se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian. Fraza e përdorur ishte “perspektiva evropiane” – zhargon i Brukselit që nënkupton një angazhim të fortë se këto vende mund dhe do të bëhen anëtarë sapo të jenë gati.

Më shumë se dy dekada më vonë, ai premtim e ka humbur besueshmërinë e tij. Në Tiranë, në Beograd, në Shkup, pak qytetarë, pak gazetarë dhe pak politikanë besojnë vërtet se anëtarësimi i plotë në BE është realist në një të ardhme të parashikueshme. Selaniku u bë një ritual, i përsëritur në çdo konkluzion të Këshillit, por i zbrazur nga substanca politike.

Ka arsye për këtë gjendje; nga të dyja palët.

Nga ana e BE-së, Unioni u zhyt në krizat e veta të brendshme për më shumë se një dekadë. Kriza e borxhit në eurozonë nga v2010 e tutje, kriza e migrimit e vitit 2015, Brexit dhe pandemia e zhvendosën gjithë energjinë politike drejt çështjeve të brendshme. Zgjerimi nuk ishte më një projekt politik; ai u reduktua pak a shumë në një dosje të menaxhuar nga drejtoria DG NEAR. I vetmi vend që u anëtarësua në gjithë atë periudhë ishte Kroacia në v2013 – dhe gjithashtu e fundit deri më sot. Kroacia ishte e vogël, gjeografikisht ngjitur, ekonomikisht e menaxhueshme, lehtësisht e absorbueshme; nuk e ndryshoi ekuilibrin institucional të Unionit.

Jean-Claude Juncker, duke marrë detyrën si President i Komisionit në v2014, thjesht kapi frymën e kohës kur tha hapur se nuk do të ketë zgjerim gjatë mandatit të tij pesëvjeçar. Ishte ndershmëri që bëri dëm: nëse nuk ka vullnet politik në krye, pse vendet kandidate duhet të reformohen?

Një justifikim i dytë për stagnimin u bë argumenti për reformën e brendshme. Unioni, thuhej, duhet të reformojë veten përpara se të zgjerohet. Problemi thelbësor dihet: BE-ja ende kërkon unanimitet në fusha vendimtare – politika e jashtme dhe e sigurisë, taksat dhe mbi të gjitha ndryshimi i traktateve ku përfshihet zgjerimi. Edhe në çështje ekzistenciale të sigurisë, një shtet anëtar kokëfortë mund të bllokojë çdo veprim kuptimplotë, siç e kemi parë vazhdimisht për sanksionet ndaj Rusisë dhe ndihmën për Ukrainën; një paralizë e kushtueshme.

Disa shtete anëtare dhe shumë federalistë argumentuan se unanimiteti duhet të zëvendësohet me votimin me shumicë të cilësuar përpara se të pranohen anëtarë të rinj, përndryshe BE-ja do të bëhej e paqeverisshme me 30 ose 35 anëtarë. Kjo krijoi një vonesë të mëtejshme politike dhe psikologjike për zgjerimin.

Megjithatë ky argument ishte gjithmonë jo i sinqertë. Zëvendësimi i unanimitetit kërkon ndryshim traktati. Dhe ndryshimi i traktatit vetë kërkon unanimitet. Një shtet i vetëm anëtar mund të vërë veton ndaj kalimit në shumicë të cilësuar. Një reformë e tillë është pra gati e pamundur në konstelacionin aktual politik. Të kushtëzosh zgjerimin me një reformë të brendshme të pamundur ishte një mënyrë e sjellshme për të thënë jo.

Pastaj erdhi thyerja e 24 shkurtit 2022. Lufta e agresionit në shkallë të plotë e Rusisë kundër Ukrainës ndryshoi gjeopolitikën e zgjerimit brenda natës. Papritmas zgjerimi u bë politikë sigurie. Shtytja u nxit pothuajse tërësisht nga konsiderata sigurie: si t’i ankorojë Ukraina dhe Moldavia në Evropë dhe të parandalojë një zonë gri që Rusia mund ta shfrytëzojë. Kjo i dha një dinamikë të re gjithë dosjes së zgjerimit dhe Ballkani Perëndimor përfitoi nga efekti anësor. Status kandidate për Bosnjë-Hercegovinën, hapja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, një plan i ri rritjeje dhe premtime financiare. Në dukje, Selaniku ishte gjallë përsëri.

Megjithatë, nëse shikojmë anën e gadishmërisë për pranim – gjendjen aktuale të shteteve të Ballkanit Perëndimor – gjërat kanë përparuar me shpejtësi shumë të ndryshme dhe në drejtime shumë të ndryshme. Rajoni nuk është një bllok. Ideja e një anëtarësimi të njëkohshëm është një iluzion.

Maqedonia e Veriut është rasti më i dhimbshëm i dështimit të BE-së. Ndryshoi emrin, ndryshoi kushtetutën, zgjidhi një mosmarrëveshje 27-vjeçare me Greqinë me një kosto të madhe politike të brendshme, bazuar në një premtim të qartë nga Brukseli. Sot ajo është e bllokuar sërish, nga kërkesat e Bullgarisë që nuk kanë të bëjnë fare me legjislacionin e BE-së – çështje historie, gjuhe dhe identiteti. Një mosmarrëveshje bilaterale që BE-ja nuk duhej ta kishte lejuar sërish.

Kosova mbetet ende pezull: Pesë shtete anëtare të BE-së ende nuk e njohin pavarësinë e saj. Kjo e pengon rrugën e saj drejt BE-së duke filluar nga statusi kandidat e deri tek bisedimet më të rëndësishme të anëtarësimit. Marrëdhëniet e saj pas pavarësisë me Serbinë ndërmjetësohen dobët nga Brukseli i cili shpesh favorizon forcën në vend të së drejtës.

Bosnjë-Hercegovina në formën e saj kushtetuese të Dejtonit është pothuajse e paralizuar nga vetë natyra. Një shtet me tre presidentë, një duzinë qeverish dhe pa autoritet funksional qendror u projektua për të ndaluar një luftë, jo për t’u anëtarësuar në BE. Udhëheqja e Republikës Srpska nën Milorad Dodik, e rreshtuar hapur me Moskën dhe duke kërcënuar me shkëputje, e bën objektivisht të pamundur përmbushjen e kritereve për anëtarësim.

Serbia është bërë, nën Aleksandar Vuçiçin, një shtet autoritar. Modeli është i njohur: luan me BE-në dhe Perëndimin, me Rusinë dhe me Kinën, duke nxjerrë para dhe legjitimitet nga të gjitha anët. Fonde të BE-së, energji dhe armë ruse, infrastrukturë dhe teknologji survejimi kineze. Megjithatë deri vonë ajo merrte lavdërime për “reformat e saj evropiane” nga askush më pak se Presidentja e Komisionit, znj. von der Leyen. Në tetor 2025 vetë Parlamenti Evropian, përmes rezolutës për Serbinë, në mënyrë të pazakontë u bëri thirrje “zyrtarëve më të lartë të BE-së të përmbahen nga deklarata të pabaza që lavdërojnë procesin e reformave në Serbi”. Deri më sot, kryesisht për shkak të mospërputhjes gjeopolitike të vendit, toni i Brukselit ka ndryshuar pak. Por kjo nuk e ka impresionuar shumë regjimin e Vuçiçit, siç e treguan së fundmi nderimet zyrtare në funeralin e kriminelit të dënuar të luftës Mlladiç të dënuar nga Haga.

Shqipëria është bërë gjithashtu një regjim autoritar që mbahet në një pjesë të mirë nga paratë e narkotrafikut dhe shfaq një seri mahnitëse skandalesh kleptokratike që arrijnë nivelet më të larta të qeverisë. Raportet zgjedhore të OSBE-së tregojnë kapje në rritje të procesit të votimit nga shteti – keqpërdorim i administratës, blerje votash, përdorim i botës së krimit për të marrë votën etj. Megjithatë kjo nuk e pengoi Komisioneren për Zgjerim Marta Kos të shpallë zgjedhjet si “të lira dhe të ndershme”; qëndrimi anti-korrupsion i BE-së nuk e pengoi atë dhe ambasadorin e BE-së të marrin publikisht anën e një ministri të paditur për korrupsion serioz (50 milionë euro të avulluara vetëm në një episod) dhe të kryeministrit Rama që mbron ministrin e tij.

Mali i Zi ka reduktuar problemet strukturore të trashëguara dhe nuk por vuan nga ndërhyrjet e Beogradit. Vendi tani po paraqitet si i vetmi dhe i vërteti favorit për anëtarësim: ka mbyllur shumë kapituj negociatash dhe, më e domethënëse, BE-ja ka krijuar një grup të përbashkët për hartimin e Traktatit të ardhshëm të Anëtarësimit.

Në këtë pikë është e rëndësishme të kujtojmë pse deshën popujt e Ballkanit apo popujt nga Evropa Lindore të bashkoheshin me BE-në në radhë të parë? Kishte tre arsye kryesore: Së pari, ideja madhështore e një Evrope të bashkuar – të kthehesh në Evropë pas komunizmit dhe Perdes së Hekurt; për ata që vuajtën në luftërat e ish-Jugosllavisë, të kapërcehet nacionalizmi shkatërrimtar. Së dyti, premtimi për t’u ngritur ekonomikisht nëpërmjet ekonomisë së tregut, por edhe nga mbështetja e BE-së përmes fondeve të kohezionit, subvencioneve bujqësore etj. Së treti, dhe më e rëndësishmja për shumë reformatorë, mbështetja për vlerat themelore të BE-së si ato të Nenit 2 të Traktatit të Lisbonës – dinjiteti njerëzor, liria, demokracia, shteti ligjor, të drejtat e njeriut. Në zhargonin e BE-së për vendet kandidate këto quhen Kriteret e Kopenhagës: institucione të qëndrueshme që garantojnë demokracinë, shtetin ligjor, një ekonomi funksionale tregu. Këto vende kanë një të kaluar komuniste, një traditë shtetërore mjaft të dobët, klientelizëm endemik etj. Perspektiva e anëtarësimit në BE supozohej të ishte një spirancë e jashtme për të forcuar ato vlera në planin e brendshëm.

Është pikërisht mbi këtë shtyllë të tretë që BE-ja, kryesisht Komisioni, ishte e verbër ndaj problemeve, veçanërisht në Serbi dhe Shqipëri. Logjika e DG NEAR ishte stabiliteti dhe thithja e fondeve, jo demokracia. Udhëheqësit autoritarë që përmbushnin detyrat në letër – hapën një kapitull, miratuan një ligj, nënshkruan një marrëveshje rajonale – u lavdëruan si reformatorë. Zmbrapsja e demokracisë u relativizua apo edhe u mohua. Raportet vjetore të progresit të Komisionit u bënë ushtrime copy-paste. Situata në secilin vend është kryesisht përgjegjësi e politikanëve dhe shoqërisë së tij përkatëse. Megjithatë, besoj se është e përshtatshme të vlerësohet realisht ndikimi i politikave me ndikim të Komisionit dhe BE-së në zgjerim.

Kjo situatë, ndër të tjera, çoi në debatin aktual për “anëtarësimin me faza”. Ideja e hedhur tre vjet më parë nga Komisioni, u mbështet më vonë nga shtetet anëtare. Këtë maj kancelari gjerman përkrahu idenë dhe paraqiti disa detaje në një letër drejtuar presidentëve të Parlamentit, Komisionit dhe Këshillit. Një muaj më vonë ai dhe presidenti francez qarkulluan një non-paper me përmbajtje të ngjashme në samitin BE/Ballkani Perëndimor në Tivat, Mali i Zi. Gjithashtu në maj, një grup prej pesë shtetesh anëtare miqësore ndaj zgjerimit i udhëhequr nga Austria dhe Italia nënshkruan një shënim të brendshëm drejtuar Komisionit duke sugjeruar anëtarësimin me faza duke filluar me seksione të Tregut të Përbashkët.

Ideja është zëvendësimi i anëtarësimit të plotë përfshirë të drejtat politike si veto/vota me anëtarësim gradual në tregun e vetëm të BE-së, institucionet, programet dhe përfitimet financiare. Në rast të sjelljes së keqe nga të sapoardhurit (rrëshqitje demokratike, mosrreshtim në çështje madhore). Megjithatë të kesh akses në tregun e përbashkët apo edhe të përfitosh nga fondet e kohezionit nuk e përjashton nevojën për standardet e nevojshme duke përfshirë mbi të gjitha institucionet funksionale të bazuara në ligjshmëri. Megjithatë KM Rama dhe Presidenti serb Vuçiç në një artikull të përbashkët të botuar më herët këtë vit në të përditshmen gjermane Frankfurter Allgemeine sugjeruan që vendet e tyre të pranohen menjëherë në tregun e përbashkët dhe që të dy do të hiqnin dorë nga vota, nga komisioneri, nga eurodeputetët dhe nga të drejtat e tjera politike që lidhen me anëtarësimin. Marifeti këtu është anashkalimi i reformave dhe masave të padëshiruara duke filluar me shtetin ligjor. Por pa to, një konsumator spanjoll i produkteve të këtyre vendeve ose një kompani daneze që operon në Shqipëri apo Serbi nuk do të ishte e sigurt se do të gëzonte dhe përfitonte nga standardet dhe rregullat e zakonshme të Tregut të Përbashkët.
Deri tashti janë ndërmarrë disa hapa në këtë drejtim që janë të më pak të komplikuara për BE-në por të dobishme për shtetet kandidate. P. sh. mund të listojmë anëtarësimin në “Zonën Unike të Pagesave në Euro” (SEPA) e cila lehtëson transfertat bankare, dhe nismën në vazhdim “Roam Like at Home”, e cila redukton pothuajse në zero tarifat shtesë të aplikueshme për përdoruesit e telefonave celularë në vende të tjera evropiane

Komisioni Europian ka përgatitur një koncept për zgjerimin për të cilin foli shkurt Presidentja von der Leyen dje para mediave në Tiranë. Për shtetet kandidate që përmbushin kriteret do të ofrohet akses gradual në Tregun e Përbashkët, në programet e kërkimit shkencor si dhe lehtësira në regjimin tregtar.
Kushtet madhore ekstra janë gjeopolitike: përfiton kush është në rresht me Brukselin në politikën e jashtëme dhe të sigurisë si dhe kush nuk komprometon tekonologjinë europiane tek fuqitë rivale

Gjithësesi thembra e Akilit mbetet shteti ligjor. Për Serbinë këto dy vite Brukseli më në fund u zgjua nga gjumi dhe ndryshoi kurs; madje edhe Partia Popullore Europiane po shqyrton masa kundrejt partisë SNS të Vuçiçit që mund të shkojnë deri në përjashtim. Për Shqipërinë me Ramën kryeministër më të rëndësishme se ofertat e reja të Komisionit janë kushtet që shtetet anëtare të BE përcaktuan në fillim të vitit kur miratuan IBAR-in. Po këto shtete janë një siguri se udha drejt BE nuk degradon në farsë me burokratë që janë mësuar të mbyllin sytë para fakteve të pakëndshme e të krijojnë realitete paralele me raportet e deklaratat e tyre.

*President i Paneuropa Shqipëri

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb