Një pasagjer izraelit është kthyer në një nga protagonistët kryesorë të incidentit dramatik në një avion të flydubai, pasi ndërhyri në kabinën e pilotit dhe ndihmoi në neutralizimin e bashkëpilotit, i cili dyshohet se kishte sulmuar me thikë kapitenin. Yaniv Hayyoun ishte ndër të parët që arriti në kabinën e pilotit, pasi dera u hap. Ai ka rrëfyer për “Daily Mail” momentet e frikshme gjatë fluturimit dhe mënyrën se si ndërhyri për të ndaluar bashkëpilotit.
Hayyoun tha se gjithçka nisi kur dëgjoi një grua duke bërtitur se bashkëpiloti po godiste me thikë pilotin. Në të njëjtën kohë, avioni nisi të humbiste me shpejtësi lartësi. “Zgjati disa sekonda. Nuk e di saktësisht sa sekonda ishte, por thonë se humbëm 14 mijë ose 15 mijë metra në më pak se një minutë. Aeroplani e humbi atë lartësi. Ishte e tmerrshme”, tregoi ai.
Pasagjeri vrapoi drejt kabinës dhe arriti të hapte derën, ndërsa bashkëpiloti po mbante dorezën nga brenda. Brenda, ai pa kapitenin të shtrirë në dysheme, pranë derës, me plagë të rënda, por ende të vetëdijshëm. “Një pilot ishte shtrirë pranë derës, i plagosur rëndë, por i vetëdijshëm. Sytë i kishte hapur. Midis dy vendeve janë kontrollet e avionit”, rrëfeu Hayyoun. Ai tha se bashkëpiloti ishte përkulur mbi komandat e avionit dhe dukej sikur po përpiqej të ndërhynte te instrumentet. Në atë moment, Hayyoun e kapi dhe e tërhoqi drejt daljes, ndërsa u kërkoi pasagjerëve të tjerë ta ndihmonin.
Të paktën tre pasagjerë izraelitë iu bashkuan atij dhe së bashku arritën ta neutralizonin bashkëpilotit. Ata e lidhën dhe qëndruan pranë tij për t’u siguruar që të mos mund të lirohej. Por ndërhyrja e Hayyoun nuk përfundoi aty. Me pilotin e plagosur dhe bashkëpilotit të neutralizuar, avioni vijonte të ishte në një situatë kritike. Në një moment, Hayyoun u ul pranë komandave të avionit dhe tentoi të ndihmonte në stabilizimin e tij. “U përkula mbi sedilje, vura duart përpara dhe i tërhoqa kontrollet drejt meje, sepse avioni po binte. I tërhoqa kontrollet drejt meje. Zgjati vetëm disa sekonda”, tregoi ai. Ajo që e bëri të pazakontë situatën ishte se Hayyoun nuk kishte trajnim si pilot. Ai tha se kishte mësuar disa elemente bazë rreth mënyrës së funksionimit të një kabine avioni duke ndjekur një dokumentar televiziv për hetimin e aksidenteve ajrore.
“Ekziston një program i quajtur ‘Hetimi i Rrëzimeve Ajrore’. Imazhet janë tmerruese dhe e bëjnë gruan time të ketë frikë të fluturojë, kështu që e shikoj fshehurazi kur ajo nuk është me mua”, tha ai. Hayyoun tregoi se nga programi kishte mësuar se, kur një avion është duke humbur lartësi, tërheqja e komandave prapa ndihmon në ngritjen e hundës së avionit. “Nuk ishte sikur po e pilotoja aeroplanin”, theksoi ai, duke shtuar se gjithçka ndodhi brenda pak sekondash. “Ajo që kisha parë më erdhi në ndihmë në përpjekjen e vetme që kisha bërë në jetën time për të mbijetuar. Ishte një mundësi, një mundësi e vetme”, u shpreh pasagjeri.
Situata vazhdoi të mbahej nën kontroll nga pasagjerët deri në momentin kur një pilot tjetër i së njëjtës linjë ajrore ndërhyri. “Mund ta lësh. Lëre. Do ta marr unë përsipër që këtej”, i tha ai Hayyoun, sipas dëshmisë së pasagjerit. Hayyoun tha se nëse piloti tjetër nuk do të kishte ndërhyrë, situata do të ishte edhe më e vështirë, pasi ai nuk kishte njohuritë për ta ulur vetë avionin.
Yaniv, who neutralized the terrorist pilot, told Netanyahu:
“I pulled the yoke up and stopped the plane’s dive. It’s lucky I had some aviation experience from @MaydayAirCrash series pic.twitter.com/pnInfbxol2— Amichai Stein (@AmichaiStein1) September 30, 2026
Ndërkohë, pasagjeri qëndroi pranë derës së kabinës për të parandaluar hyrjen e personave të tjerë. Në kabinë, piloti i plagosur po merrte ndihmën e një mjeku izraelit, i cili u përpoq ta mbante në gjendje të qëndrueshme deri në uljen e avionit. “Po kujdeseshim për pilotin. Po siguroheshim që të mos binte në gjumë. Ai donte t’i mbyllte sytë dhe ne po siguroheshim që të qëndronte zgjuar. I thashë pilotit: ‘Më shiko’. I thashë: ‘Askush nuk do të vdesë sot’”, rrëfeu Hayyoun. Avioni arriti të ulej në mënyrë të sigurt në Arabinë Saudite, ndërsa pasagjeri izraelit doli nga avioni me gjak në këmishë pas përleshjes në kabinën e pilotit.
