BRITANI E MADHE – Një 27-vjeçar me shtetësi të dyfishtë britanike dhe iraniane është arrestuar në Westminster, Londër, nën dyshimin për përgatitje të akteve terroriste në lidhje me incidentin në bazën ajrore RAF Fairford.
Sipas policisë, i riu është arrestuar në bazë të nenit 5 të Aktit të Terrorizmit të vitit 2006. Një tjetër 26-vjeçar, shtetas britanik, është marrë në pyetje nën masën e kujdesit.
Policia ka kryer gjithashtu kontrolle në dy prona në zonën e Westminsterit.
Ndërkohë, pesë burra të tjerë, të gjithë në të 20-at, të cilët u arrestuan të dielën pas raportimeve për automjete të dyshimta pranë Whelford, mbeten të liruar me kusht në kuadër të hetimit.
Koordinatorja e Lartë Kombëtare për Policimin Kundër Terrorizmit, Vicki Evans, deklaroi se hetimi mbi ngjarjet në Gloucestershire është “jashtëzakonisht kompleks” dhe se ekipet e specializuara po ndjekin disa pista.
Autoritetet britanike po shqyrtojnë edhe mundësinë e përfshirjes së një shteti të huaj në incident. Pesë të dyshuarit e arrestuar më herët u lanë të lirë pa akuza, ndërsa policia tha se në automjetet e kontrolluara nuk u gjetën eksplozivë, por u sekuestrua një sasi benzine.
Hetimi vijon, ndërsa autoritetet britanike nuk kanë konfirmuar deri tani përgjegjësinë e ndonjë shteti apo organizate për incidentin.
Kryeministri i Manchesterit, Andy Burnham, ka deklaruar se ka “indikacione të forta” për një përfshirje të mundshme të Iranit, por kjo mbetet pjesë e pistave që po hetohen nga autoritetet.
