Një 28-vjeçar është arrestuar në Shkodër në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Reaction”, pasi dyshohet se posedonte lëndë narkotike të gatshme për shitje, kryesisht në afërsi të perimetrit të sigurisë së shkollave.

Në pranga ka rënë shtetasi E. Z., banues në Shkodër, i cili u kap në flagrancë teksa drejtonte automjetin e tij. Gjatë kontrollit të mjetit, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Kontrolli vijoi edhe në banesën e 28-vjeçarit, ku u gjet një tjetër sasi lënde bimore e dyshuar narkotike, e ndarë në doza dhe e gatshme për tregtim.

Në total, policia sekuestroi rreth 1.5 kilogramë lëndë të dyshuar Cannabis Sativa, një pjesë e së cilës në formë xhelatinoze. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet, një aparat celular, peshore elektronike dhe pajisje për paketim me vakum.

Sipas policisë, nga veprimet hetimore dyshohet se 28-vjeçari e siguronte lëndën narkotike me qëllim shitjen e saj, kryesisht në afërsi të perimetrit të sigurisë së shkollave.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb