Në seancën e jashtëzakonshme plenare në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka mbajtur fjalën e tij, duke vlerësuar luftën e UÇK-së.
Ai tha se lufta ishte e drejtë dhe se sipas tij, UÇK-ja nuk ishte vetëm përgjigje ndaj suprimimit të autonomisë së Kosovës, por edhe ndaj asaj që ai e quajti gjenocid të Serbisë ndaj Kosovës.
“Për UÇK-në nuk mund të ketë gjyq”, tha Kurti.
Duke folur për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ai tha se koha për analizimin e tyre ka qenë e shkurtër dhe se LVV-ja i konsideron këto veprime të ngutshme.
“Ka qenë një kohë e shkurtër për të analizuar ligjin, sidomos kur nuk e kemi aktgjykimin e prerë. Këto lëvizje për ndryshimin e ligjit për Specialen janë të ngutshme dhe nuk janë analizuar sa duhet. Veprime të ngutshme janë bërë edhe në vitin 2015. Atëherë nuk na keni dëgjuar, por sot do të duhej të na konsultoni. Zemërimi i qytetarëve është i drejtë. Ankesat për gjykatën duhet t’u drejtohen atyre që e themeluan e jo ndaj atyre që e kundërshtuan”, ka thënë ai.
