Për të kuptuar se sa dhe kë përfaqëson Grupi Parlamentar i PS-së, mjafton të shohësh se çfarë po ndodh sot në mbledhjen e grupit të tyre parlamentar.

Diskutohet shkrirja e 15 bashkive dhe, sipas raportimeve në media, kundërshtim publik ndaj kësaj nisme kanë shprehur vetëm dy deputetë. Mbetet për t’u parë nëse ky kundërshtim do të qëndrojë edhe në momentin e votimit në seancë plenare.

Divjaka, Patosi, Rrogozhina, Maliqi, Dimali, Cërriku, Përrenjasi, Belshi, Klosi, Poliçani, Memaliaj, Fushë-Arrëzi, Këlcyra dhe Libohova janë në tryezën e kësaj reforme për t’u shkrirë. Por nga deputetët e PS-së që kanë marrë mandatin për të përfaqësuar qytetarët e këtyre bashkive, heshtja është ajo që bie më shumë në sy.

Ku është zëri i tyre? Ku është përgjegjësia ndaj qytetarëve që i kanë votuar? Ku është detyrimi për të mbrojtur interesin e komuniteteve që përfaqësojnë?

Në vend që të dëgjojmë zërin e qytetarëve në Kuvend, rrezikojmë të shohim deputetë që kthehen në zëdhënës të vendimeve politike të Edi Ramës.

Nëse një deputet hesht kur vendoset për fatin e bashkisë që ai ose ajo pretendon se përfaqëson, atëherë qytetarët kanë të drejtë të pyesin: kë përfaqëson realisht ky deputet?

Mandati parlamentar nuk është pronë e partisë. Është mandat i qytetarëve.

Dhe qytetarët meritojnë deputetë që flasin, kundërshtojnë dhe mbajnë përgjegjësi, jo deputetë që heshtin kur vendimet prekin drejtpërdrejt komunitetet që i kanë zgjedhur.

Kjo është çështje përfaqësimi. Kjo është çështje përgjegjësie. Dhe përballë qytetarëve, heshtja nuk mund të fshihet pas disiplinës partiake.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb