BERLIN – Ish-kreu i shërbimit gjerman të inteligjencës së jashtme BND, August Hanning, u arrestua nën dyshimet për spiunazh dhe tentativë tradhtie.

Hanning, 80 vjeç, i cili drejtoi BND-në nga viti 1998 deri në 2005, dyshohet se ka siguruar më shumë se 2 mijë dokumente, shumë prej tyre të klasifikuara ose tepër sekrete, dhe më pas i ka përdorur në aktivitetin e tij privat si konsulent.

Sipas hetuesve, për rreth 12 vjet ai dyshohet se ka përfituar nga lidhjet me ish-punonjësin e BND-së, Manfred D., i cili kishte akses në dokumente të ndjeshme të shërbimit. Në këmbim të parave, ky i fundit dyshohet se i siguronte Hanning informacion nga brenda institucionit.

Sipas mediave gjermane, disa prej dokumenteve të marra dyshohet se janë përdorur në një analizë për një shërbim të huaj inteligjence, ndërsa klientët e Hanning dyshohet se kanë qenë të lidhur me shërbimet e inteligjencës së Azerbajxhanit.

Manfred D. akuzohet për ndihmë në tentativën për tradhti dhe spiunazh për një fuqi të huaj.

Rasti vjen në një moment delikat për BND-në dhe qeverinë gjermane, e cila po planifikon zgjerimin e kompetencave të shërbimit në përballjen me kërcënimet e huaja, përfshirë operacionet kibernetike dhe kundërspiunazhin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: