Dy aksidente rrugore janë shënuar pothuajse në të njëjtën kohë në autostradën Fier-Lushnje, në afërsi të Savrës, në një distancë prej rreth 200 metrash nga njëri-tjetri. Aksidenti i parë ka ndodhur teksa një automjet tip “Ford”, që udhëtonte në drejtim të Lushnjës, është përplasur me barrierën metalike anësore të autostradës. Në automjet ndodheshin dy persona, ndërsa drejtuesi ka mbetur i plagosur dhe është transportuar me urgjencë në spital nga ambulanca.

Nga përplasja, një prej gomave të përparme të automjetit ka mbetur në vendin e aksidentit, ndërsa makina ka përfunduar rreth 200 metra më tej, pasi ka vijuar lëvizjen nga inercia.

Pak metra më tutje është regjistruar edhe një tjetër aksident. Një automjet tip “Fiat”, me të cilin udhëtonin dy turiste franceze, është përplasur nga pas nga një kamionçinë.

Përplasja ka shkaktuar dëme materiale, ndërsa dy turistet franceze kanë shpëtuar pa lëndime serioze. Në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila po punon për dokumentimin e dy aksidenteve dhe zbardhjen e shkaqeve. Ndërkohë, për shkak të ngjarjeve, në këtë segment është krijuar trafik i rënduar dhe policia po punon për disiplinimin e qarkullimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: