TIRANË – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e kritikuar edhe për vizitën e tij në uzinat e “KAYO”.
Në një dalje për mediat, Berisha deklaroi se Rama po viziton struktura që, sipas tij, lidhen me persona dhe kompani për të cilat opozita ka ngritur më herët akuza. Ai e cilësoi Parlamentin si “mburojë” të qeverisë dhe akuzoi mazhorancën se miraton ligje në funksion të interesave të kryeministrit.
Berisha ngriti gjithashtu pretendime lidhur me biznesmenin Rony Yeffet, duke deklaruar se kompania e tij ka përfituar 45 milionë euro dhe kërkoi që autoritetet hetimore të verifikojnë telefonatat që, sipas tij, Yeffet ka kryer me kryeministrin Edi Rama gjatë një operacioni të BKH-së.
Kreu i PD-së akuzoi gjithashtu qeverinë për lidhje me persona të tjerë të përfshirë në çështje që opozita i konsideron të dyshimta, ndërsa përsëriti thirrjet e tij për hetim të veprimeve të qeverisë.
“Ai parlament është bërë zëdhënës i interesave kriminale të Edi Ramës dhe organizatës së tij kriminale. Parlamenti është bërë mburojë e vjedhjeve më të madha nga Edi Rama Lubi Balluku. Ai Parlament, ka vendosur terrin dhe errësirën për qytetarët shqiptarë të votojë në emër të interesave të ngushta të Edi Ramës dhe deputetëve të skllavëruar ndaj tij çdo ligj që bie ndesh me shqiptarët. Barometri i urrejtjes popullore ndaj Ramës po arrin në nivele të larta. Revolta dhe vetëm revolta mund të shpëtojë shqiptarët nga narkoshteti i Edi Ramës. Siç keni konstatuar këto ditë, ai është shndërruar në avokat publik të hapur të bandës kriminale në AKSH, të Mirlindës dhe Lindës të Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit dhe tani edhe të Rony Yeffet, Arjeta autoblindat dhe famëziut Ardi Veliu, duke faktuar se ata nuk janë gjë tjetër veçse shërbëtorë të tij. Sot ai shkonte vizitonte garazhet e Arjetës, atje ku blejnë makina me lekët e shtetit dhe ia shesin po shtetit. 45 mln euro ka marrë kompania e Ramës me Ron Yeffet. E dëgjuat kur ekipi i BKH hyri në banesën e Yeffet, ai haptas telefonoi katër herë Edi Ramës. I bëj thirrje hetimit të ja hetojë atë telefon. Dhe po sipas këtij burimi tre herë të tjera Linda Ramës”, shtoi ai.
