Gazetari Almer Toska, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka bërë një skanim të plotë të situatës politike brenda mazhorancës, duke zbuluar prapaskena mbi reformën territoriale, përplasjet e brendshme në Partinë Socialiste dhe ekuilibrat e pushtetit mes Kryeministrit Edi Rama dhe ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
Sipas gazetarit, pavarësisht zërave kritikë apo pakënaqësive të shfaqura publikisht, reforma territoriale do të arrijë të marrë dritën e gjelbër në Kuvend.
“Me informacionet që kam, nuk ka diskutime nëse reforma territoriale kalon. Edhe Erion Braçe ka lënë të kuptohet se do e votojë, pavarësisht se shfaqi pakënaqësi. Nuk la të kuptohet një vendosmëri absolute se do e kundërshtojë me votë. Rama është njeriu që, kur ndihet në vështirësi, i riorganizon fijet dhe çon drejt miratimit çdo ndryshim apo ligj që kërkon të bëjë,” deklaroi Toska.
Gjithashtu, ai shtoi se PS ka edhe “elementë rezervë” me vota nga opozita, partitë e vogla apo deputetë individualë për të siguruar shumicën e nevojshme.
Duke ndaluar te zërat kritikë brenda Partisë Socialiste, Toska zbuloi detaje nga një përplasje e ashpër mes Kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Erion Braçe lidhur me këtë çështje.
“Braçe ka pasur një debat të fortë me Ramën. Rama dhe Braçe janë kacafytur. ‘Kush je ti që më del kundër mua dhe partisë’, i është thënë nga Rama drejtuar Braçes. Braçe ka një angazhim që të bëhet zë faktorial brenda grupit të PS-së, sepse ai nuk ka pasur individë brenda pushtetit apo njerëz të përfolur, nuk e akuzon dot për korrupsion e tendera,” theksoi gazetari.
Marrëdhënia mes Edi Ramës dhe Belinda Ballukut u cilësua nga gazetari si një pakt i paprekshëm pushteti, ku pesha politike e zv.kryeministres mbetet e padiskutueshme.
“Me të dhënat që kam, flitet që Balluku do të jetë në parlament. Balluku e di ku ta kapë Ramën dhe e ka kapur. Sa kohë Rama dhe Balluku ruajnë paktin mes tyre të paprekur dhe stoicizmin për të mos ndryshuar rolet, ata do vijojnë të bashkërendojnë këtë marrëdhënie. Belinda qeveris me 5-6 ministra dhe Rama e pranon këtë,” përfundoi Toska.
