Qeveritë në Francë dhe në Shqipëri janë vënë nën presion historik prej rinive respektive në të dyja vendet. Pjesëmarrja e madhe në protesta fsheh megjithatë dy realitete krejtësisht të ndryshme. Të paktën për momentin. Ndërsa Parisi po digjet nga një lëvizje sociale arsimore, Shqipëria po kalon një krizë të pastër politike që synon rënien e sistemit. Kush përfiton nga kjo situatë dhe a rrezikon që “flaka franceze” të përfshijë edhe shkollat shqiptare?
Dy lëvizje me synime të ndryshme: Për kushte më të mira në arsimin francez, për rrëzimin e qeverisë në Shqipëri
Dallimi i parë i madh qëndron tek ajo që kërkohet në rrugë: në Francë, lëvizja është me përmbajtje sociale. Nxënësit dhe studentët nuk po kërkojnë ndryshimin e qeverisë. Ata janë në rrugë për kushte më të mira në arsim, për më shumë mësues, për buxhet më të lartë për ministrinë e arsimit, për një trajtim të njëjtë dhe pa diskriminim si për nxënësit në lagjet « chic » ashtu edhe për ata në provincat apo periferitë urbane franceze. Lëvizja në Francë është një revoltë e mirëfilltë kundër tkurrjes së Shtetit social si një nga arritjet më të mëdha në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore. Në mënyrë indirekte, protesta e nxënësve dhe studentëve francezë hyn në diapazon me kërkesat dhe programet e partive të majta, e mbi të gjitha asaj më radikales, LFI – La France Insoumise (Franca e pamposhtur) që ka në krye një lider karizmatik anti-sistem, Melonshon, 75 vjeç. Sondazhet e fundit për zgjedhjet presidenciale të prillit të ardhshëm e japin atë si një nga dy fituesit e raundit të parë. Fituesja tjetër sipas sondazheve do të jetë Marine Le Pen, kandidatja e ekstremit të djathtë. Nëpërmjet kësaj proteste rinore në Francë, janë këto dy parti që po ndeshen për betejën e prillit të ardhshëm: partia e Melonshon-it qëndron pas protestës rinore, ndërkohë që ajo e Le Pen-it e dënon dhe e refuzon kategorikisht atë. Në Shqipëri po ndodh diçka tjetër. Protesta e rinisë është një lëvizje e pastër politike. Protestuesit nuk kërkojnë reformëza të vogla, por arrestimin e vetë Kryeministrit, rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme. Si në Francën e sotme, protesta shqiptare lindi si revoltë sociale me natyrë ambientaliste, por u shndërrua shumë shpejt në një lëvizje anti-sistem. Fakti që nisi gjatë verës kur shkollat ishin të mbyllura dëshmon se ajo nuk ka lidhje me kushtet akademike, por me kushtet e jetesës të të gjithë shqiptarëve që ndihen të zhvatur nga korrupsioni qeveritar.
Por nëse në Shqipëri qëllimi është i qartë, rrëzimi i qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme, në Francë qeveria aktuale është teknikisht “e programuar” të bjerë, pasi vendi mban zgjedhje presidenciale dhe parlamentare pas vetëm 7 muajsh. Kjo krijon një paradoks tek protesta rinore në Francë: si mund të vazhdojë një lëvizje e tillë kur kërkesat e saj emergjente për arsimin nuk mund të zgjidhen veçse nga një ofertë e re politike që vjen pas më shumë se një gjysmë viti? Ky paradoks e bën situatën franceze shumë më konfuze në planin afatgjatë sesa ajo shqiptare, e cila e ka një synim të qartë, por s’po ia arrin dot nga ana e mjeteve për ta realizuar atë.
Dhunë në Francë përballë një turme paqësore në Shqipëri
Nëse retorika e qeverive është pak a shumë e njëjtë në Shqipëri dhe në Francë, mënyrat sesi zhvillohet protesta dallojnë rrënjësisht. Strategjia e komunikimit të të dyja qeverive bazohet tek kërkimi i faktorëve jashtë protestës. Në Shqipëri, qeveria ushqeu narrativën se pas protestave qëndrojnë interesa apo financime të huaja, nga Rusia tek Irani, për të destabilizuar vendin. Në Francë, qeveria akuzon partinë e majtë radikale LFI se është truri dhe organizatori i vërtetë i dhunës, duke manipuluar të rinjtë.
Pikërisht dhuna urbane është e pranishme në protestat franceze, pa qenë një veçori e vetëm rinisë së sotme. Lëvizja e “Jelekverdhëve” para disa vitesh, edhe ajo me karakter social, u shoqërua me një dhunë që e bën Francën vendin më të veçantë në Europë nga kjo pikëpamje. Sot, imazhet e një lufte guerile urbane midis nxënësve dhe policisë franceze janë bërë fatkeqësisht të zakonshme në të gjithë Francën. Statistikat janë alarmante: gati 1800 gjimnaze të mbyllura nga 3700 që ka Franca. 90% universiteteve në gjendje tensioni. Me urdhër të qeverisë ndalohet mësimi deri në fund të javës në të gjitha gjimnazet franceze. Ka më shumë se 6 mijë të arrestuar që nga mesi i shtatorit, ndër të cilët dhe të mitur. Dëme materiale në miliona euro me rreth 30 shkolla që u është vënë zjarri plotësisht ose pjesërisht, sidomos në Paris, Lion dhe Marsejë.
Në Shqipëri, protesta ka ruajtur një karakter kryesisht paqësor; maksimumi që shihet janë vezë apo bojë që hidhen ndaj forcave të rendit apo godinave qeveritare, ndërsa shkatërrimet urbane as që ekzistojnë gjatë protestave shqiptare.
Përgjigjja qeveritare në të dyja vendet ndaj dhunës në rrugë – reale në Francë dhe e supozuar në Shqipëri – duket në fillim e njëjtë. Forcat policore reagojnë shumë ashpër, shpesh në mënyrë të çproporcionuar. Por më pas, në të dyja rastet, qeveritë tregohen “më politike”: në Shqipëri, Edi Rama deklaron se i kupton protestuesit dhe mllefin e tyre; në Francë, homologu i tij Lekorny në Francë shpall një fushatë ku duhen dëgjuar kërkesat e nxënësve. Gjimnazet franceze do të shërbejnë në ditët në vazhdim jo për të bërë mësim, por për seanca të inkuadruara dëgjimore midis nxënësve dhe mësuesve për të shprehur opsionet e tyre.
Kush përfiton politikisht?
Në fushën e shahut politik në kontekstin e protestave rinore, dominon ngjashmëria midis dy vendeve. Në Shqipëri, përfituesi i drejtpërdrejtë i zgjedhjeve të parakohshme do të ishte Opozita që kërkon pushtetin por që s’po ia arrinte dot e vetme. Protesta i shërben asaj si një “kokë demi” që shpartallon derën e kalasë qeveritare, me qëllim që më pas të paraqesë ofertën e saj politike në zgjedhjet e parakohshme. Këtë luks nuk e kanë organizatorët e protestës shqiptare, sepse ata nuk janë të organizuar rreth një partie dhe një programi elektoral.
Edhe në Francë, përfituese e protestës rinore është Opozita, por jo e gjitha: vetëm ajo që përfaqëson të majtën radikale, LFI. Programi i saj parashikon taksimin më ekstrem të më të pasurve në mënyrë që të financohen shërbimet publike, dhe në radhë të parë arsimi dhe spitalet. Ndaj lideri i LFI-së, Melonshon, po duartrokitet nga të rinjtë francezë të cilët, me thellimin e krizës ekonomike, po bëhen gjithnjë e më shumë anti-kapitalistë.
Sot LFI e pranon publikisht se po nxit dhe po e mbështet këtë revoltë, me qëllim për ta kthyer në kapital elektoral në zgjedhjet e pranverës së ardhshme. Në kahun tjetër, opozita e Le Pen-it që përfaqëson ekstremin e djathtë del e humbur nga kjo lëvizje proteste rinore për dy arsye. Si parti anti-emigracion, ajo e banalizon këtë protestë si një produkt të fëmijëve të emigrantëve që nuk arrijnë të integrohen në shoqërinë franceze dhe shkaktojnë dhunë. Prania e flamujve palestinezë në disa protesta e dëshmon këtë, thotë partia e Le Pen-it.
Po ashtu, ekstremi i djathtë ka në program vendosjen e rendit me anë të forcës policore. Kjo parti bën kështu llogarinë se votat që i humbet tek të rinjtë i fiton tek pensionistët të cilët duan «rregull», dhe që janë më të shumtë në numër në kutitë e votimit. Statistikat franceze tregojnë një hendek elektoral: mbi 80% e pensionistëve marrin pjesë në zgjedhje në Francë, ndërsa tek të rinjtë e moshës 18-24 vjeç kjo shifër bie në rreth 40%.
A do të frymëzohen nxënësit dhe studentët shqiptarë nga bashkëmoshatarët e tyre në Francë?
Tani që shtatori ka kaluar dhe shkollat e universitetet në Shqipëri janë rihapur, pyetja që mund të shtrohet për protestën shqiptare është: a mund të shërbejnë pamjet e nxënësve dhe studentëve francezë në barrikada si një shkëndijë frymëzimi për rininë shqiptare?
Nëse nxënësit dhe studentët shqiptarë vendosin t’i bashkohen masivisht protestës politike që ka nisur këtë verë, lëvizja në Shqipëri do të fitonte një forcë të pakontrollueshme. Ndryshe nga Franca, ku nxënësit luftojnë për tavolinat e tyre të shkollës, në Shqipëri ata do të zbrisnin në shesh për të përmbysur përfundimisht tavolinën e pushtetit. Por pa nxitjen e politikës, nga ana e opozitës LFI, rinia franceze nuk do të ishte ngritur kaq masivisht. Dallimi me politikën shqiptare është se opozita LFI nuk ka ushtruar asnjëherë pushtetin ekzekutiv në Francë dhe e ka më të lehtë të bëjë premtime e madje demagogji. Ne Shqipëri, rinia në shkolla dhe universitete do të ishte më mosbesuese ndaj atyre që kanë qenë më parë në pushtet.
Prandaj, rolin nxitës nëpër shkolla dhe universitete në Shqipëri mund ta bëjnë me efikasitet shumë më të madh vetë organizatorët e protestës. Mundësinë e kanë gjatë ditës, protestat vetëm mbrëmjeve zhvillohen… Gjatë ditës të hyjnë nëpër institucionet arsimore, të dialogojnë me studentët si bashkëmoshatarë dhe t’i bindin ata t’u bashkohen lëvizjes për një Shqipëri ndryshe.
