Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Ed Miliband, ka njoftuar vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, duke synuar flotën e fshehtë, kompanitë e naftës, kriptomonedhat dhe burimet e financimit të luftës.

Gjatë deklaratës së tij, Miliband theksoi se Londra do të vijojë mbështetjen për Ukrainën në luftën kundër agresionit rus, duke konfirmuar se ndihma britanike do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

“Sot po njoftojmë sanksione të reja ndaj makinerisë së luftës së Putinit, flotës së fshehtë, kompanive të naftës, kriptomonedhave dhe financimit të luftës”, deklaroi Miliband.

Ai përcolli gjithashtu një mesazh solidariteti për popullin ukrainas, duke nënvizuar angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të qëndruar përkrah Kievit.

“Ne jemi vëllezërit dhe motrat tuaja në këtë konflikt. Dhe do të jemi me ju për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, u shpreh sekretari i Jashtëm britanik.

Në kuadër të mbështetjes ushtarake, Londra ka premtuar të vijojë me 3.5 miliardë euro ndihmë në vit deri në periudhën 2030–2031.

Mbretëria e Bashkuar ka trajnuar gjithashtu më shumë se 63 mijë ushtarakë ukrainas përmes programit Operation Interflex, ndërsa për vitin 2026 ka premtuar dërgimin e 150 mijë dronëve dhe 350 raketave të mbrojtjes ajrore.

Vendimi për sanksionet e reja vjen në kuadër të përpjekjeve të Londrës për të kufizuar burimet financiare dhe logjistike që mbështesin luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb