Një agjent i Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave në SHBA (ICE) ka qëlluar dhe plagosur një person gjatë një incidenti në lagjen Marble Hill, në Bronx të New Yorkut.
I plagosuri u transportua në spital me plagë që nuk konsiderohen kërcënuese për jetën, ndërsa ngjarja ka shkaktuar reagime të forta dhe protesta në zonë.
Sipas kryetarit të bashkisë së New Yorkut, Zohran Mamdani, në automjetin e të plagosurit ndodhej edhe djali i tij pesëvjeçar, i cili fatmirësisht nuk pësoi lëndime.
Rrethanat që çuan në përdorimin e armës nga agjenti federal mbeten ende të paqarta. Policia e New Yorkut ka deklaruar se nuk ishte e përfshirë në të shtënat, ndërsa incidenti është nën hetim.
Kryebashkiaku Zohran Mamdani e cilësoi ngjarjen si një situatë jashtëzakonisht serioze dhe të papranueshme. Ai bëri të ditur se kishte kontaktuar presidentin amerikan Donald Trump, duke i kërkuar të ndalojë operacionet e ICE në New York.
Ndërkohë, Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka deklaruar se burri i plagosur është një emigrant nga Republika Dominikane, i cili kishte një dënim të mëparshëm për grabitje të rënduar dhe disa arrestime të tjera për vepra penale, përfshirë sulm, grabitje dhe posedim të lëndëve narkotike e armëve.
Pas incidentit, në rrugët e zonës shpërthyen protesta dhe përplasje, ndërsa ngjarja ka rikthyer debatet mbi mënyrën e zhvillimit të operacioneve të agjentëve federalë të emigracionit.
Hetuesit po përpiqen të zbardhin rrethanat e të shtënave dhe të përcaktojnë se çfarë ndodhi përpara se agjenti i ICE të përdorte armën e zjarrit.
