Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka deklaruar se PD-ja dhe bashkitë e prekura nga reforma territoriale do ta ankimojnë ligjin në Gjykatën Kushtetuese. I ftuar në emisionin “News24 Fundjavë” në News24, Balliu u shpreh se edhe nëse Gjykata Kushtetuese e shpall reformën antikushtetuese, ekziston rreziku që qeveria të mos e zbatojë vendimin. Ai e cilësoi këtë si një situatë edhe më të rëndë, duke theksuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t’u zbatuar.

Duke komentuar protestat e opozitës, Balliu tha se ato do të vijojnë dhe se në të ardhmen priten tubime më të fuqishme e më masive. Sipas tij, protesta e qytetarëve e ka përmbushur tashmë një pjesë të misionit të saj, ndërsa muajt e fundit i cilësoi si përpjekje të kryeministrit Edi Rama për t’i shpëtuar burgut.

“Do e çojmë në Kushtetuese ne si PD, por dhe vetë këto bashki do e çojnë reformën në Kushtetuese. Por Gjykata Kushtetuese mund të japë të drejtën se kjo reformë është antikushtetuese, por qeveria mund të mos e zbatojë këtë verdikt. Kjo është më e rëndë, se qeveria nuk i zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese, edhe pse ato janë të detyrueshme për t’u zbatuar.

Organizimi i protestës nuk ishte i PD-së, si të thuash kombëtar, domethënë kishim njoftuar vetëm. Do të ketë protesta edhe më të fuqishme. Protestat duhen, duhen të jenë edhe më masive. Qasja e llojit të protestës duhet të jetë ndryshe. Por protesta e qytetarëve e ka bërë punën e saj. Këto muaj janë procedura dhe përpëlitje të tij për t’i shpëtuar burgut”, u shpreh Balliu.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: