Avokati Ledio Braho ka komentuar ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, duke i vlerësuar ato si pozitive për forcimin e rolit të mbrojtjes në procesin penal.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, me gazetaren Nisida Tufa, Braho u shpreh se për herë të parë avokatit i jepet mundësia të kryejë hetime, njësoj si prokurori. Sipas tij, këto ndryshime mund të sjellin një rol më aktiv të mbrojtjes, ndërsa efektet e tyre do të varen edhe nga mënyra se si do të miratohen dhe zbatohen në praktikë.
Gjatë intervistës, avokati theksoi gjithashtu se qytetarët nuk duhet ta mbështesin pritshmërinë për ndëshkimin e korrupsionit vetëm te institucionet e drejtësisë, përfshirë SPAK-un, por edhe te vota e tyre.
Braho u ndal edhe te roli i SPAK-ut, duke nënvizuar se qëllimi i këtij institucioni ka qenë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas tij, Kodi i Procedurës Penale duhet të shërbejë si një instrument për mbrojtjen e qytetarëve dhe garantimin e të drejtave të tyre gjatë hetimit.
“Në aspektin e avokatit ndryshimet janë pozitive, japin rol aktiv mbrojtjes dhe është hera e parë që avokati mund të kryejë hetime si prokurori. Elementët janë pozitivë edhe pse kjo do shihet në vijim si do miratohet. Një pjesë e ndryshimeve janë problematika që janë hasur ndër vite. Por më pas çdo qasje politike që bëhet ndaj Kodit të Procedurës Penale, duhet të kemi parasysh se qytetarët shqiptarë nuk duhet ta presin vetëm nga Kodi i procedurës penale apo SPAK. Nuk duhet të presin të dalin nga prokuroria, duhet të ndëshkohen edhe me votë. SPAK ka një numër shumë më të vogël procedimesh, ndikim për masat e sigurimit nuk besoj se ka. Qëllimi i SPAK ka qenë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për pjesën e hetimit duhet të thënë që Kodi i procedurës Penale është mjeti që duhet të mbrojë qytetarin”, tha ai.
