Nga Ilnisa Agolli
ALEA IACTA EST, tha Jul Çesari ditën kur mori vendimin të ndiqte Pompein dhe të vetëshpallej diktator i përjetshëm. Zarat u hodhën, është kuptimi në shqip. Më shumë se sa kjo frazë kaq koherente me situatat në vend, ajo që më bën habi është se të gjithë figurat kryesore që njoh nga librat dhe politika e çdo epoke , nuk ishin asnjëherë vetëm.
Përveç njërit. Konformistit!
Jul Çesari, kishte Brutin. Servantesi kishte Don Kishotin, Rableja kishte Gargantuan, Kosteri kishte Til Uleshpingelin, Hasheku kishte Shvejkun, Dritëroi kishte Zylon, Kadri Roshi kishte teatrin, partizanët kishin njëri-tjetrin, bujku kishte tokën, Spiropali kishte Ramën, Ad Hila kishte kamerën, Vlora kishte përgjimet, Berisha kishte Meduzën dhe Meduza kishte pushtetin.
Vetëm njëri nuk kishte asnjë. Dhe askush nuk e vuri re këtë. Konformisti!
Nga ana tjetër qëndrojnë dhe ata që nuk i kanë humbur ende ato që kanë. Arjan Çani ka Ledion, Blendi Gonxhe ka qenin, Klodiana Lala ka guximin, Gaz Bardhi ka Zegjinenë, deputetët kanë frikën, analistët kanë honoraret e thashethemit, gazetarët kanë protokollin e fakteve, Fevziu ka Opinionin, protestuesit kanë qëllimin, Bled Mane ka burracakërinë, Luca ka peshkun, socialistët kanë parrullat, demokratët kanë paradokset, ndërkombëtarët kanë sharmin, Balluku ka marrëveshjen, Ilir Kulla ka sakrificën e shërbimit, Izraeli ka Netanyhaun, Trumpi ka pëlqimin tim, servilizmi ka Mero Bazen dhe temat në përgjithësi kanë luftën. 100-fronte janë hapur në këtë vend dhe vetëm njëri shpëton gjithmonë. Konformisti!
Ndërsa ata që i kanë humbur të gjitha, janë tregimtarët e vërtet të kësaj anekdode. Thaçi dhe liderët e UÇK-së kanë dënimin por dhe Kosovën. Saimir Tahiri, nuk ka mandatin por ka lirinë.
Fred Peza, nuk ka më postin e drejtorit por ka statusin e kapterrit. Helidon Haliti, nuk fiton projekte në bashki por ka penelët e tij kinezë. Një televizion që njoh, i ngjan një cirku të madh dhe atje nuk ka rroga por vetëm kllounë. Dhe secili duket se është pajtuar me këto hesape. Të vetmit të paqartë në këtë mes, janë ata që midis asaj që kishin dhe asaj që mund të kishin, më sjellin në mend ose Ballistët ose Erion Braçen. Disa thonë se ballistët kishin namin e madh. Të tjerë thonë se Braçja e ka gjuhën më të madhe, në raport me gojën. E cila në këtë histori sidoqoftë ajo, është shumë e rëndësishme. Gjithçka varet nga forma se si zgjedh ta përdorësh gjuhën. Megjithëse, fjala vjen unë nuk mendoj se Braçe nuk është ai lloj i nxënësit, që e nxjerr gjuhën nga goja sapo kthen shpinën mësuesi. Në rastin e tij, problemi është gjumi. Dhe mendoj se Braçe këto kohë fle keq.
Më kujtohet Markezi tek novela “Kolonelit nuk ka kush t’i shkruaj” kur i thotë e shoqja.
“Nuk hahen ëndrrat. Për t’u ngrënë s’hahen, por për të ngopur të ngopin, – ia kthen ai.”
Mesa duket, vëmendjes se Braçes i paska shpëtuar ky libër. Ndryshe do të kishte nënvizuar çoç në ato pak fletë dhe kjo konformistit edhe mund t’i pëlqente. Ja një paragraf:
“Muaji tetor ishte muaj i mërzitshëm dhe i lagësht.
Koloneli kish pesëdhjetë vite që priste të pajisej me dokumentet e veteranit dhe kështu, për pesëdhjetë vite qëndroi me shpresë se do merrte pensionin. Të cilit i takonte si kolonel në luftën civile të Republikës së Kolumbisë në mes Partisë Konservative dhe Partisë Liberale. Ai çdo të premte dilte tek dyqani i një siriani dhe shikonte letrat postare si dhe lexonte të rejat në gazetat e qytetit. Mbaronte një e premte dhe vinte tjetra por koloneli nuk merrte asnjë letër, asnjë dokument.”
Por mesa duket, as koloneli i Markezit dhe as koloneli Partisë Socialiste, nuk e shpartalloi dot këtë komplot që vjen gjithëherë nga ajo çka cakton autori veprës për personazhin. Që edhe në mos qoftë i tij, është në dorë të tij. E, padyshim që këta të fundit flasin vetëm me heshtje. Siç u mbyll edhe “Zonë e lirë” këtë të premte. Një gjetje e cila më pëlqeu. Megjithëse midis heshtjes, kolonelëve më lart apo konformistit, gjuhës dhe sqepit, do të preferoja sqepin. I cili aktualisht, po hidhet porsi zarat në këtë lojë që ka nisur.
Andaj deri në pikët dhe kombinimet e rradhës, mos harroni se çeshtja më e shkurtër në Shqipëri ështe: Të flesh a të mos flesh. Dhe mbase, është kjo e vetmja mënyrë për të mos rënë në konformizëm dhe pritur si të gjithë ata lart, agimin e premtuar dhe një mesazh në telefon: U zgjove?
