Të paktën 17 persona, mes tyre tre fëmijë, janë vrarë dhe 18 të tjerë janë plagosur pas një sulmi rus në qytetin ukrainas të Zaporizhias. Sulmi ndodhi në një zonë industriale më pak se 30 kilometra larg vijës së frontit, ku pesë bomba rrëshqitëse goditën ndërtesa banimi.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky reagoi ashpër, duke e lidhur sulmin me njoftimin e Donald Trump për një marrëveshje me Moskën lidhur me lehtësimin e sanksioneve ndaj eksporteve ruse të naftës.

“Sot Rusia tha ‘faleminderit’ për heqjen e sanksioneve mbi eksportet e naftës duke hedhur pesë bomba rrëshqitëse mbi ndërtesat e banimit në Zaporizhia”, deklaroi Zelensky. Ky është sulmi i tretë masiv rus ndaj Ukrainës brenda javës. Sipas raportimeve, rreth 80 civilë janë vrarë në sulmet e së mërkurës dhe të enjtes, përfshirë viktimat nga bombardimet në Kramatorsk dhe Priluki.

Ndërkohë, delegacioni ukrainas që ndodhej në Miami për bisedime me zyrtarë amerikanë dhe evropianë mbi përfundimin e luftës është nisur drejt Kievit.

Sipas një këshilltari të Zelenskyt, ekipet janë në rrugën e kthimit, ndërsa presidenti ukrainas ka deklaruar se njoftimi i Trump për marrëveshjen me Moskën e ka befasuar Kievin në mes të negociatave.

Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se rifillimi i menjëhershëm i bisedimeve është i pamundur, duke përmendur sulmet me dronë ukrainas ndaj Moskës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: