Shtetet e Bashkuara nuk po shqyrtojnë dërgimin e trupave amerikane apo krijimin e bazave ushtarake në Ukrainë pas përfundimit të luftës me Rusinë. Sipas gazetës Kyiv Independent, që citon burime të njohura me negociatat, ky qëndrim ka nxjerrë në pah mosmarrëveshjet mes Uashingtonit, Kievit dhe aleatëve evropianë për garancitë e sigurisë që do t’i ofrohen Ukrainës në një marrëveshje të mundshme paqeje.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kërkon angazhime konkrete dhe të shkruara, duke argumentuar se garancitë pa praninë e trupave të huaja mund të mos jenë të mjaftueshme për të parandaluar një sulm të ri rus. Gjatë takimit të 19 nëntorit në Berlin, të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff diskutuan me zyrtarë ukrainas dhe evropianë një model garancish të ngjashëm me Nenin 5 të NATO-s. Ky mekanizëm parashikon ndihmën e aleatëve ndaj një vendi që sulmohet, por nuk përcakton automatikisht ndërhyrjen ushtarake.

Zelensky ka shprehur shqetësimin se ende nuk është e qartë se cilat vende do të garantonin sigurinë e Ukrainës dhe çfarë masash do të merrnin në rast të një agresioni të ri.

“Nuk është ende e qartë se kush do të jetë ky kolektiv, si do të na mbrojë dhe nëse do të jetë gati të zmbrapsë agresorin”, deklaroi ai, duke këmbëngulur se angazhimet duhet të pasqyrohen me shkrim. Presidenti ukrainas kërkon që garancitë të jenë afatgjata, duke theksuar se vendi i tij ka nevojë për mbrojtje për dekada, jo vetëm për periudhën e presidencës së Donald Trump.

Ndërkohë, Franca, Gjermania dhe Britania po shqyrtojnë mundësinë e krijimit të një force shumëkombëshe evropiane në Ukrainë pas një armëpushimi, me synimin për të monitoruar zbatimin e marrëveshjes së paqes dhe për të penguar një agresion të ri rus. Megjithatë, ende nuk janë përcaktuar vendet që do të kontribuojnë me trupa dhe mënyra se si kjo forcë do të reagojë në rast shkeljeje të marrëveshjes.

Pengesa kryesore mbetet kundërshtimi i Moskës, e cila ka refuzuar vazhdimisht praninë e trupave të huaja dhe bazave ushtarake në territorin ukrainas, duke i cilësuar ato si objektiva të mundshëm. Në të njëjtën kohë, vijojnë diskutimet edhe për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, të cilin Kievi e konsideron si garancinë më të fortë për sigurinë afatgjatë. Megjithatë, kjo mundësi kundërshtohet nga Rusia dhe mbetet një nga çështjet më të vështira në negociatat për përfundimin e luftës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: