Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, ka kundërshtuar lehtësimin e sanksioneve ndaj naftës ruse, duke paralajmëruar se të ardhurat shtesë mund të përdoren nga Moska për të financuar luftën në Ukrainë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Kallas theksoi se Rusia po intensifikon veprimet kundër vendeve anëtare të BE-së dhe aleatëve të NATO-s.

“Ky nuk është momenti për të lehtësuar presionin ndaj Rusisë dhe Evropa nuk do ta bëjë këtë”, deklaroi ajo.

Kallas bëri të ditur gjithashtu se ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së synojnë të miratojnë të hënën një paketë të gjerë sanksionesh kundër strukturave të lidhura me makinerinë ushtarake ruse, në kuadër të përpjekjeve për të kufizuar kapacitetet e Moskës për të vijuar luftën.

Deklaratat vijnë në një kohë kur Brukseli synon të ruajë presionin ekonomik dhe politik ndaj Rusisë, për shkak të agresionit kundër Ukrainës dhe shqetësimeve për sigurinë evropiane.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: