Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi në Greqi i një 19-vjeçari turk, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas burimeve, 19-vjeçari dyshohet se është autori i plagosjes me armë zjarri të shtetasit turk Halil Uçar, 36 vjeç, ngjarje e ndodhur më 9 mars të këtij viti në një lokal në zonën e Saukut, në Tiranë.
Si ndodhi plagosja në Sauk
Në momentin e ngjarjes, autori i dyshuar dhe 36-vjeçari ndodheshin në tavolina të ndryshme dhe në kate të ndryshme të lokalit. Pasi kishte darkuar në katin e parë, 19-vjeçari është ngjitur në katin e dytë, ku ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të Uçarit, duke e plagosur me një plumb në shpatull.
Pas të shtënave, autori i dyshuar është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
U arrestua gjatë një kontrolli në Greqi
19-vjeçari u arrestua në Greqi së bashku me dy shtetas të tjerë turq, përkatësisht 21 dhe 22 vjeç, gjatë një kontrolli policor në aksin rrugor Kalamata-Pylos.
Sipas autoriteteve greke, gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin tre personat u gjetën dhe u sekuestruan 14.7 gramë marijuanë dhe një sasi e vogël kokaine, të cilat dyshohet se i posedonin së bashku.
Gjithashtu, 19-vjeçari dhe 22-vjeçari paraqitën dokumente me autenticitet të dyshimtë. Dokumentet u sekuestruan, ndërsa nga verifikimet rezultoi se të dy qëndronin në mënyrë të paligjshme në Greqi.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi edhe katër telefona celularë, si dhe karta identiteti dhe leje drejtimi të lëshuara nga autoritetet bullgare.
Në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana
Gjatë verifikimeve, autoritetet greke konstatuan se 19-vjeçari ishte subjekt i një Njoftimi të Kuq të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të autoriteteve shqiptare. Ai kërkohej për akuzat që lidhen me tentativën e vrasjes dhe mbajtjen e përdorimin e paligjshëm të armëve të zjarrit.
Për ngjarjen dhe arrestimin po kryhen hetime nga autoritetet greke, ndërsa pritet të ndiqen procedurat përkatëse në lidhje me kërkimin ndërkombëtar të të riut.
