Federata Shqiptare e Futbollit do të përfaqësohet për herë të dytë në turneun europian “Unity EURO Cup 2026”, një nismë e përbashkët e UEFA-s dhe Agjencisë së OKB-së për Refugjatët (UNHCR), që synon promovimin e përfshirjes sociale dhe integrimit të refugjatëve përmes futbollit.
Edicioni i këtij viti do të zhvillohet në datat 14–16 tetor 2026, në Coverciano, Itali, me pjesëmarrjen e ekipeve nga vende të ndryshme të Europës, të cilat do të bashkohen përmes sportit, duke përcjellë mesazhe solidariteti, respekti dhe gjithëpërfshirjeje.
Pjesëmarrja e dytë e ekipit shqiptar vjen në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të FSHF-së për promovimin e vlerave sociale të futbollit dhe krijimin e mundësive konkrete për përfshirjen e personave me sfond refugjatësh në jetën sportive dhe komunitare.
Ky angazhim mbështetet edhe në Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet FSHF-së dhe UNHCR Albania, përmes të cilit palët synojnë të forcojnë bashkëpunimin në përdorimin e futbollit si një mjet për integrimin social, krijimin e mundësive të barabarta dhe ndërtimin e urave lidhëse mes komuniteteve.
Ekipi shqiptar përbëhet nga refugjatë, vajza dhe djem, që jetojnë aktualisht në Shqipëri dhe që, përmes mbështetjes së FSHF-së, do të kenë mundësinë të përfaqësojnë vendin tonë në këtë aktivitet ndërkombëtar. Përbërja e ekipit reflekton rëndësinë e barazisë gjinore dhe të krijimit të mundësive të barabarta përmes futbollit. Sipas shortit të turneut, Shqipëria do të përballet në grup me Austrinë, Letoninë dhe Rumaninë.
Përtej rezultateve sportive, pjesëmarrja në këtë turne përfaqëson një mundësi për të ndarë përvoja, për të krijuar lidhje të reja dhe për të dëshmuar se futbolli është një gjuhë e përbashkët që kapërcen kufijtë, kulturat dhe dallimet.
