Policia polake ka arrestuar 117 persona pas një seri sulmesh në shkolla, shumica prej tyre, adoleshentë të moshës 13 deri në 19 vjeç.

Autoritetet kanë kontrolluar afro 65 mijë institucione arsimore, ndërsa nga sot rreth 20 mijë punonjës policie, do të angazhohen për të garantuar sigurinë në shkolla.

Lajmi u raportua nga Agjencia Polake e Shtypit (PAP), pas një takimi të posaçëm mes kryeministrit Donald Tusk, ministrave dhe përfaqësuesve të institucioneve të zbatimit të ligjit.

Sipas kryeministrit Tusk, autoritetet polake nuk kanë gjetur prova për ekzistencën e një grupi të madh të organizuar, që koordinon sulmet me qëllim frikësimin e publikut.

Në vend të kësaj, qeveria i lidh disa prej rasteve të dhunës me sjelljen e të rinjve në internet.

“Shumë shpesh bëhet fjalë për sjellje spontane, që burojnë kryesisht nga aktiviteti në internet”, shpjegoi kryeministri.

Pse autoritetet polake janë të shqetësuara për interesin e të rinjve ndaj nazizmit?

Gjatë takimit, Tusk tërhoqi vëmendjen te rritja e interesit të të rinjve për përmbajtjet që lidhen me dhunën.

Sipas tij, ky fenomen është bërë më i dukshëm vitet e fundit, si në Poloni, ashtu edhe në vende të tjera të botës.

Autoritetet polake janë veçanërisht të shqetësuara për adoleshentët që kërkojnë në internet materiale për krimet naziste dhe dhunën gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Mes grupeve që kemi identifikuar, të cilat janë kryesisht aktive në internet, ka një grup që bie në sy. Ai nuk është i organizuar, por përbëhet nga një numër të rinjsh, që janë aktivë në internet dhe kërkojnë në mënyrë të përsëritur përmbajtje naziste, të lidhur me dhunën gjatë Luftës së Dytë Botërore”, deklaroi Tusk.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: