Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se Gjermania dhe Evropa do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën, duke theksuar se synimi mbetet arritja e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, që garanton lirinë e Ukrainës dhe sigurinë e Evropës.

“Presidenti Zelensky mund të mbështetet te Gjermania dhe Evropa në këtë situatë. Ne qëndrojmë pranë Ukrainës dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë brenda kornizës së Bashkimit Evropian me qëllim një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme që do të ruajë si lirinë e Ukrainës, ashtu edhe sigurinë e Evropës”, theksoi Merz.

Duke komentuar marrëveshjen mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për eksportet e naftës, kancelari gjerman u shpreh se një vendim i tillë është i papranueshëm për Gjermaninë dhe Evropën.

Sipas tij, Moska do të jetë e gatshme të negociojë seriozisht vetëm në kushtet e presionit, ndaj Berlini mbështet vazhdimin e sanksioneve kundër Rusisë.

Merz theksoi gjithashtu se, pas sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, është e nevojshme që masat ndëshkuese ndaj Moskës të forcohen më tej.

Deklaratat e kancelarit gjerman konfirmojnë qëndrimin e Berlinit në favor të vazhdimit të mbështetjes për Kievin dhe të ruajtjes së presionit ekonomik ndaj Rusisë, me synimin për të arritur një zgjidhje paqësore që garanton sovranitetin e Ukrainës dhe stabilitetin e Evropës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: