Etika ka vendosur ditën e djeshme përjashtimin nga punimet e Kuvendit për 60 ditë, për kreun e grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi dhe deputetit Klevis Balliu.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku, në fjalën e saj në Konferencën e Kryetarëve ka deklaruar se vendimi për dënimin e demokratëve është një vendim i papranueshëm dhe një shkelje e rregullores.

“Vendimi për përjashtimin e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, dhe deputetit Balliu, i papranueshëm dhe në shkelje të Rregullores
Dua t’ju kujtoj, zoti kryetar, se vendimi i Komisionit të Etikës, i marrë ditën e djeshme, është në shkelje të plotë të Rregullores. Madje, ai tregon se nuk ka asnjë vlerësim dhe asnjë ndjeshmëri për zbatimin e saj.
Përjashtimi për 60 ditë është i përcaktuar qartë në Rregullore dhe zbatohet vetëm në raste të caktuara. Vendimi për përjashtimin e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është i papranueshëm.

Besoj se ky vendim është në të njëjtën frymë me propozimin që paraqitet sot për të shkelur sërish Rregulloren. Sa i përket programit të punës, kalendari dhe projektprogrami janë mjaft të ngarkuar. Nuk është se kemi pak projektligje. Interpelancat janë parashikuar, ndërsa buxheti do të vijë për shqyrtim. Për këtë arsye, ne jemi kundër propozimit për ndryshimin e tyre.

Do të ishte e nevojshme që të mos kishim asnjë javë të gjelbër, në vend që të punojmë një javë dhe të mos punojmë javën tjetër.

Prandaj, besoj se duhet të fokusohemi te interpelancat që u shtynë herën e kaluar, te projektligjet që u shtynë po ashtu dhe te kalendari që kemi përpara”, ka deklaruar ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb