Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar këtë si zgjidhjen e vetme për krizën në vend.

Gjatë deklaratës së tij nga selia blu, Berisha iu drejtua edhe punonjësve të Policisë së Shtetit, duke i ftuar të mos përdorin dhunë ndaj protestuesve dhe të bashkohen me studentët në kundërshtimin e qeverisë.

Kreu i PD-së përsëriti kërkesën për largimin e Ramës nga drejtimi i qeverisë, duke e lidhur atë me zgjidhjen e situatës politike në vend.

“Edhe njëherë, këto ditë ndahet historia, ana na të cilën duhet të qëndrojnë qytetarët shqiptarë.
Studentët kanë bërë zgjedhjen e tyre.
Kanë treguar rrugën që duhet të zgjedhin të tjerët.

Jam këtu para jush për t’i bërë thirrje narko-policisë, ju që thyet kocka të rinjsh, por edhe burrash të moshuar, ju që me egërsi shtazore godisnit qytetarët e rrëzuar përdhe nga ju, u siguroj se rreptësia e ligjit do bjerë mbi ju kudo që do shkoni.
Përndryshe u bëj thirrje të gjithë atyre policëve, të cilët shohin se piramida e krimit dhe e drogës qëndron mbi ta si Shpata e Demokleut, të rebelohen, të bashkohen me studentët.
Ky shtet është shtet i krimit.
Ky shtet është shtet i bandave.
Shteti i vrasësve.
Shtet i trafikantëve.

Kundër një populli, kundër një rinie, kundër të ardhmes së tyre. Së fundmi, i kërkoj Edi Ramës të japë menjëherë dorëheqjen si rruga e vetme për zgjidhjen më të shpejtë dhe më pak të dhimbshme të krizës së thellë në të cilën e ka zhytur vendin.

Largimi i tij i menjëhershëm, krijimi i një qeverie që çon vendin drejt zgjedhjeve të lira është kusht i të gjitha kushteve që vendi të dalë nga kriza.
Përshëndes dhe njëherë studentët, lëvizjen e tyre dhe i garantoj se PD mbetet e vendosur të mbështesë ata, të mbrojë kauzën e tyre me të gjithë potencialet e saj”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb