Një studente që i është bashkuar protestës së studentëve ka rrëfyer vështirësitë me të cilat përballen të rinjtë në Shqipëri, duke u ndalur te kostot e larta të jetesës, çmimet e qirave dhe kushtet në konvikte e auditore.

Në një prononcim për News24 gjatë protestës, ajo u shpreh se prej disa muajsh kishte menduar, së bashku me një grup miqsh, të largohej nga Shqipëria, pasi, sipas saj, kushtet e jetesës janë bërë të papërballueshme.

“Ka shumë vështirësi. Pjesa e akomodimit, nuk gjejmë dot një vendndodhje me qira normale. Kushtet në konvikte janë skandaloze, nuk ofrohen shërbime as në shëndetësi. Auditoret janë në gjendje skandaloze, hyn uji. Prej disa kohësh kemi menduar si grup të largohemi nga vendi, sepse këtu nuk jetohet”, u shpreh e reja.

Ajo tha se e sheh protestën si një mundësi për të kërkuar ndryshim dhe për të reaguar ndaj problematikave që, sipas saj, kanë rënduar jetën e të rinjve.

“Jam e lumtur që po bëhet revolucion, të bëjmë diçka për këtë vend, vetëm rinia mund ta bëjë, sepse këta plehrat që e kanë bërë në këtë gjendje nuk mund të bëjnë më gjë”, deklaroi ajo.

Studentja u ndal edhe te vështirësitë ekonomike, duke theksuar se të ardhurat shpesh nuk mjaftojnë as për të mbuluar shpenzimet bazë, ndërsa qiraja zë një pjesë të konsiderueshme të pagës.

“Jetesa është shumë e vështirë, një rrogë 500 mijë lekëshe të ikën vetëm për qira. Mos të flasim për shpenzime të tjera. Kemi frikë të jetojmë në vendin tonë”, përfundoi ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb