Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke kërkuar transparencë të plotë dhe hetim nga SPAK lidhur me kontratën e qeverisë shqiptare me partnerin privat grek “Aktor” dhe kompaninë e transmetimit të Gazit Natyror “Albgaz”, për sigurimin e një kontrate furnizimi me Gaz të Lëngshëm nga SHBA.

Marrëveshja përmes një ndërmjetësi: Edhe pse SHBA mbetet partneri strategjik i shqiptarëve dhe në vitin 2020 Shqipëri firmosi një Memorandum Mirëkuptimi (MoU) me gjigandin amerikan ExxonMobil për të njëjtin qëllim, qeveria ia ka deleguar këtë proces një kompanie greke si ndërmjetëse.

Sipas Këlliçit, grupi “Aktor” nuk ka dhënë asnjë garanci se si do të realizojë fizikisht furnizimin me gaz të lëngshëm në Shqipëri brenda vitit 2030.

Këlliçi kërkon shpjegime se përse qeveria shqiptare e bëjë kontratën detyruese (“binding”), ndërkohë që sipas Wall Street Journal, Shqipëria rezulton të jetë i vetmi vend që ka pranuar një kusht të tillë.

PD i kërkon SPAK-ut të investigojë këtë marrëveshje, duke e cilësuar si një element kyç për të mbrojtur bashkëpunimin strategjik me SHBA-në dhe për të parandaluar keqpërdorimin e Koridorit Vertikal të Gazit nga interesat lokale dhe rajonale.

Në mbyllje të reagimit të tij, Këlliçi ka adresuar akuza të forta ndaj Kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si një partner të pabesueshëm për interesat strategjike të SHBA-së dhe aleatëve perëndimorë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb