Zoti Kryeministër,
Në këto ditë dramatike për vendin dua t’ju them disa fjalë ndryshe.
M’u kujtua mesazhi që më keni nisur në vitin 2005, kur ne socialistët humbëm në zgjedhjet e radhës. Besoj ju kujtohet edhe juve. Atëherë, pas një artikulli që botova me titull “Pse humbi Partia Socialiste?”, më ngrinit në qiell, kur kishit lexuar që thosha: “PS humbi se humbëm lidhjet shpirtërore midis nesh, humbëm lidhjet shpirtërore me popullin. Humbëm se këto lidhje shpirtërore i zëvendësuam me lidhje klienteliste, me lidhje mafioze. Humbëm se përulësinë ndaj atyre që na votuan e zëvendësuam me arrogancë ndaj tyre, se i ngopuri midis nesh nuk pyeste për të uriturin matanë”.
Më pas, për të ardhur në pushtet dhe për t’u bërë kryeministër, përdorët filozofinë “me horrat e Berishës do t’ia marr pushtetin Berishës”. Në mandatin e parë, sipas medias, grupi parlamentar i PS-së kishte mbi 20 deputetë dhe drejtues të lartë me rekorde kriminale, i zgjodhët Ju; në mandatin e dytë, 17 deputetë me rekorde kriminale, i zgjodhët përsëri ju; në mandatin e tretë, 14 të tillë, i përzgjodhët përsëri ju. Në mandatin e fundit media nuk ka bërë publike shifra, se kanë ndodhur gjëra më të trishtueshme, më dramatike. Si ka mundësi që, kur ju fusni dorën në një thes për të përzgjedhur, zgjidhni pikërisht personazhe kriminale për t’u dhënë pushtet? Sot keni në burg dhe nën ndjekje penale mbi 20 personazhe: zëvendëskryeministra, ministra, deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë të përgjithshëm, etj. Këta nuk i ka kallëzuar as qeveria dhe as ju, por i kanë kallëzuar të tjerët, jashtë qeverisë. Ju i keni emëruar. Thoni shpesh “përgjegjësia e tyre është personale”, po e juaja që i zgjodhët, cila është? Pse nuk i kontrolluat me administratën tuaj dhe t’i çonit ju para përgjegjësisë dhe drejtësisë? Me mënyrën si i keni zgjedhur, jeni treguar i papërgjegjshëm; me mënyrën si e keni menaxhuar qeverinë, jeni treguar i paaftë. Kështu do ta përkufizoja unë qeverisjen tuaj. Sot të thuash deputet është njëlloj sikur të thuash kriminel, hajdut. Ja, ky është kredibiliteti popullor për politikën që keni krijuar.
Kërkuat tepsinë dhe e ndatë byrekun, buxhetin e shtetit dhe gjithçka me oligarkët tuaj, sikur ta kishit pronë private. Vendi, qytetet, zonat dhe fshatrat u braktisën. Kërkuat timonin më vonë dhe e hodhët makinën në greminë si një shofer që nuk di ta ngasë makinën. Sot vendin e keni futur në një situatë katastrofike, të shkaktuar jo nga tërmeti, as nga përmbytjet, por nga një tërmet tjetër njerëzor, nga ju vetë, që keni provokuar indinjatën, zhgënjimin, përçmimin, fyerjen dhe revoltën studentore. Dhe rinia ka gjithnjë të drejtë. Njerëzit heshtin kollaj, por jo se binden kollaj. Është rinia që proteston. Shikoje sa të qytetëruar e kemi rininë tonë: 135 ditë protestë paqësore, model, mbushi sheshet si asnjëherë në historinë e vendit. Mjerë kush nuk kupton rininë, nuk ka kuptuar asgjë nga jeta. Kush nuk mbështet rininë, kot që jeton. Ky është mesazhi që më ka mësuar jeta si profesor në 40 vite përvojë akademike, brenda dhe jashtë vendit, ndaj para disa javësh botova një artikull tjetër: “Bekuar qofsh, rini e vendit tim”. Partinë Socialiste e keni katandisur shumë keq, e keni bërë memece, shurdhe, politikanët e së majtës pa identitet dhe pa integritet, një pjesë edhe për fajin e tyre. Si ish-politikan i së majtës, ndiej vetëm dhimbje dhe dëshpërim. Nuk e kam të qetë ndërgjegjen, edhe pse kam folur dhe shkruar shpesh.
E di që keni akoma servilë dhe vulëhumbur që ju rrinë rrotull dhe ju ka pëlqyer kur ju thonë se jeni Skënderbeu i kohës, Ismail Qemali, jeni heroi i Shqipërisë. Më vjen keq t’ju them, e humbët këtë shans. Katastrofa e tanishme mban emrin tuaj, ashtu sikurse katastrofa e vitit 1997 mban emrin e Berishës. Ju jeni dy njerëz që nuk keni formim profesional me njohuri nga menaxhimi dhe qeverisja dhe keni qeverisur më shumë në këtë vend. Dorëheqja është qytetari. Kështu i kam lexuar unë tri dorëheqjet e Nanos, dorëheqjen e Dokles dhe të socialistëve të tjerë. Qytetari manifestojnë ata që e kanë.
Bëni një zgjidhje politike, tani; nesër do të jetë vonë. Frenoni shkatërrimin e vendit, nëse e doni vërtet, siç deklaroni. Hapeni rrugën për një qeveri kujdestare që t’i hapet rrugë shpresave të shqiptarëve, punësimit të rinisë, të frenohet shitja e interesave të mëdha kombëtare, të frenohen koncesionet e panevojshme dhe vendi të integrohet me dinjitet në Bashkimin Europian. Lëreni vendin të marrë frymë.
Ja, këto fjalë të thjeshta doja t’ju thoja.
Për studentët kam një thirrje: Kërkoni të drejtat tuaja, emanciponi shoqërinë, shpëtoni të ardhmen tuaj dhe të vendit, por mos shkatërroni. Mos prekni pronën private apo publike, qoftë. Ruani qytetin. Tirana është e jona, Shqipëria është e jona. Pushtetarët janë kalimtarë, ata do të harrohen shumë shpejt. Historia do t’ju kujtojë juve dhe ata që kanë sakrifikuar për Shqipërinë. Vendi im është gjithnjë aty ku jeni ju, studentët e mi të dashur!
Tiranë, 17 tetor 2026
