Avokati mbrojtës i shtetasit amerikan Julian Charles Williams, i cili u dhunua ditën e djeshme nga policia pranë zonës së Piramidës gjatë zhvillimit të protestës, ka dhënë një deklaratë për gazetarin e News24, Klevin Muka, ku ka zbardhur detaje nga ngjarja dhe gjendja shëndetësore e klientit të tij.
Avokati deklaroi se ka bërë kërkesë zyrtare që shtetasi amerikan të vizitohet nga mjekët, pasi paraqet dëmtime të shumta fizike, ndërsa denoncoi sjelljen brutale të forcave të policisë.
“Kemi bërë kërkesë që ai të vizitohet, ka hematoma në kokë, te shpatulla dhe dora e majtë. Është një shtetas amerikan, Julian Charles Williams, dhe ka qenë duke parë dje protestën dhe në këtë kohë i janë vërsulur rreth 8 policë. Kur ai u rrëzua pranë Piramidës, këta e kanë dhunuar në mënyrë brutale dhe çnjerëzore,” u shpreh avokati.
Më tej, mbrojtja e shtetasit amerikan kërkoi masa ndëshkimore jo vetëm për efektivët e përfshirë në dhunë, por edhe për oficerin e policisë gjyqësore që e ka marrë në pyetje në shkelje të procedurave ligjore.
“Ne kërkojmë jo vetëm të bëhet viral momenti, por edhe ata policë që e kanë dhunuar duhet të ndëshkohen, si dhe Oficeri i Policisë Gjyqësore që e ka marrë në pyetje duhet të ketë masë ndëshkimore, sepse e ka marrë në pyetje në shkelje të ligjit. Sot ai është në dhomat e paraburgimit ku e kam vizituar dhe është në gjendje jo të mirë shëndetësore,” theksoi ai.
Avokati bëri me dije se lidhur me këtë incident është vënë në dijeni edhe përfaqësia diplomatike e Uashingtonit në Tiranë.
“Kemi kontaktuar edhe Ambasadën e SHBA-së, që na ka udhëzuar se nuk mund të ndërhyjnë në këto momente, por po e ndjekin situatën nga larg. Ai erdhi si turist me të fejuarën, vetëm një ditë më parë. Është mjaft i tronditur,” përfundoi ai.
