Tre persona janë arrestuar nga Policia e Shkodrës për vepra të ndryshme penale. Në një prej rasteve, një 73-vjeçar dyshohet se ka goditur me çekiç bashkëshorten e tij, duke i shkaktuar dëmtime në kokë.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në pranga ka rënë shtetasi me inicialet V. K., 73 vjeç, banues në fshatin Barbullush. Ai dyshohet për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e mbetur në tentativë. E dëmtuara ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër, nën kujdesin e mjekëve, ndërsa çekiçi i përdorur në ngjarje është sekuestruar si provë materiale.
Ndërkohë, në Shkodër është arrestuar edhe një 15-vjeçar, i cili dyshohet se më 15 dhe 16 tetor 2026 ka kryer veprime të dhunshme gjatë tubimit përpara Bashkisë Shkodër, duke shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Një tjetër rast dhune në familje është regjistruar në Vau të Dejës. Policia ka arrestuar shtetasin A. A., 47 vjeç, banues në fshatin Kaç, i dyshuar për ushtrim dhune fizike ndaj bashkëshortes së tij, në prani të fëmijëve të mitur. Gjatë kontrollit në banesën e tij, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan edhe 140 fishekë.
Materialet procedurale për të tre rastet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
