Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka kërkuar një zgjidhje politike për situatën e tensionuar në vend, duke e cilësuar largimin e kryeministrit Edi Rama si domosdoshmëri për rikthimin e paqes sociale.

Në një qëndrim në rrjetet sociale, Tabaku akuzoi qeverinë se po nxit përplasjen mes qytetarëve, bizneseve dhe policisë, në vend që të adresojë shqetësimet e studentëve dhe krizën që po përjeton ekonomia dhe shoqëria shqiptare në tërësi.

“ U bë dita e tretë që kryeministri, si lugat, del që në të gdhirë e më pas zhduket dhe flet për djegien e biznesit. Ata që e kanë djegur biznesin dhe kanë shkretuar Shqipërinë janë atje sot, duke e mbajtur pushtetin me zor. Shqipëria ka nevojë për një paqe sociale të re, ka nevojë për një zgjidhje politike, ka nevojë për largimin e Edi Ramës. Këto janë kërkesat e studentëve, këto janë kërkesat e biznesit”, u shpreh Tabaku.

Deputetja e Partisë Demokratike theksoi se qeveria ka përgjegjësi për mbylljen e bizneseve vendase dhe shtimin e vështirësive për sipërmarrësit shqiptarë.

“Ata që sot qajnë me lot krokodili, sikur u dhimbset biznesi, e kanë shkretuar biznesin vendas. Kanë sjellë 18 ligje me porosi, kanë vendosur TVSH-në për këto biznese të vogla, i kanë mbyllur ato masivisht dhe i kanë detyruar të emigrojnë”, u shpreh ajo.

Tabaku nënvizoi se bizneset nuk duhet të shihen si kundërshtare të qytetarëve, pasi përbëjnë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë dhe nuk duhet të bëhen pjesë e një përplasjeje që rëndon më tej situatën në vend.

““Bizneset janë me qytetarët. Bizneset nuk duhen prekur. Bizneset duhen mbrojtur si shtylla kryesore e ekonomisë së Shqipërisë”, u shpreh Tabaku, duke nënvizuar se përgjigjja ndaj situatës nuk duhet të jetë përplasja mes qytetarëve dhe sipërmarrjes, por largimi i qeverisë.

U bë dita e tretë që kryeministri, si lugat, del që në të gdhirë e më pas zhduket dhe flet për djegien e biznesit. Ata që e kanë djegur biznesin dhe kanë shkretuar Shqipërinë janë atje sot, duke e mbajtur pushtetin me zor.

Shqipëria ka nevojë për një paqe sociale të re, ka nevojë për një zgjidhje politike, ka nevojë për largimin e Edi Ramës. Këto janë kërkesat e studentëve, këto janë kërkesat e biznesit.

Ata që sot qajnë me lot krokodili, sikur u dhimbset biznesi, e kanë shkretuar biznesin vendas. Kanë sjellë 18 ligje me porosi, kanë vendosur TVSH-në për këto biznese të vogla, i kanë mbyllur ato masivisht dhe i kanë detyruar të emigrojnë.

Sot, studentët janë duke protestuar për disa kërkesa të drejta. Janë duke protestuar për largimin e kryeministrit, kundër dhunës, kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, kundër largimit. Dhe kjo kërkon marrjen e një vendimi politik për largimin e Edi Ramës.

Sot, bizneset, të rinjtë, qytetarët, po edhe policët, janë lënë në mëshirë të fatit. Sepse sot nuk ka as ministër të Brendshëm, as Polici të Shtetit, as ministra që janë në detyrë. Nuk ka as kryeministër.

Ata kanë nxitur pikërisht këtë konflikt social për t’i vendosur bizneset përballë qytetarëve dhe policinë, nga ana tjetër, përballë qytetarëve, duke i vendosur njerëzit kundër njëri-tjetrit.

Kjo kërkon largimin e Edi Ramës, për plotësimin e kërkesës së parë të studentëve dhe të qytetarëve.

Bizneset janë me qytetarët. Bizneset nuk duhen prekur. Bizneset duhen mbrojtur si shtylla kryesore e ekonomisë së Shqipërisë, që është duke vuajtur sot. Por nesër do të jetë më mirë vetëm me largimin e kësaj qeverie.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb