Kryeministri Edi Rama ka përdorur tone të ashpra ndaj studentëve dhe të rinjve që prej ditësh protestojnë duke kërkuar dorëheqjen e tij. Gjatë një komunikimi live, kreu i qeverisë ironizoi pretendimet dhe teoritë që kanë qarkulluar lidhur me protestat.

Rama u ndal te pretendimet se mes protestuesve dhe personave të përfshirë në përplasjet me policinë mund të ketë edhe shtetas serbë, duke i cilësuar këto si marrëzi. Ai deklaroi se kjo frymë nuk do të përfshijë popullin shqiptar dhe as qytetarët që janë kundër qeverisë së tij.

Kryeministri bëri gjithashtu një krahasim me situatën në Francë, Itali, Bruksel, Belgjikë dhe Spanjë, ku foli për lëvizjet që ai i përshkroi si “Antifa” dhe neokomuniste. Në këtë kontekst, Rama tha se përfaqësuesit e këtyre lëvizjeve nuk kanë mend në kokë, duke përdorur shprehjen “komplet kokë bosh”.

Pjesë nga deklarata e Edi Ramës:

“Qershia mbi tortën e kësaj marrëzie janë ushtarët serbë që qenkan nën uniformën e atyre djemve dhe burrave që i kanë pagat sot më të ulëta se të shumëkujt në këtë shtet, që marrin gurë me breshëri, që digjen si të ishin armiq të këtij vendi dhe që u dyshokan se qenkan edhe serbë. Kjo është marrëzi, por nuk është kolektive për fat të mirë, dhe nuk ka për ta përfshirë popullin shqiptar, as ata që janë kundër kësaj qeverie, sepse këtë film ne e kemi parë.

Ndryshe nga Franca, Italia, Brukseli e Belgjika, Spanja e këto vende ku kjo flamë e quajtur Antifa, neokomunistë, ne u marrim të keqen atyre të parëve Karl Marksit e kujt i erdhi mbrapa, se të paktën ata i kishin mend në kokë, këta nuk kanë as mend fare, janë komplet kokë bosh.

Ndërkohë që këtu nuk është si atje. E kemi parë Shqipërinë në kaos, peng të marrëzisë, të humbasë ekonominë, të mos afrohet askush nga pasiguria, të ngrihen njerëzit e të ikin me anije. Njerëzit po, sot lëvizin, ikin, kthehen. Më shumë ikin sesa kthehen, sigurisht, sepse nuk jemi në bunkerin e Enver Hoxhës”, tha Rama.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb