Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka reaguar pas sulmeve të kryeministrit Edi Rama ndaj News24, duke shprehur mbështetjen e tij për televizionin dhe stafin e tij, si dhe duke dënuar presionet ndaj medias së lirë. Në një deklaratë, Blushi thekson se News24 vijon të qëndrojë në anën e lirisë dhe të së vërtetës, pavarësisht, sipas tij, dhunës dhe presioneve të vazhdueshme nga pushteti.

Ai rendit një sërë ngjarjesh që, sipas tij, kanë synuar të godasin televizionin, nga tritoli, dhuna dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, te gjobat arbitrare të tatimeve dhe uzurpimi i godinës.

“Me kërcënime, Edi Rama ta harrojë se mund ta nënshtrojë apo ta rrëzojë News24”, shprehet Blushi, duke shtuar se asnjë prej këtyre akteve nuk e ka shuar zërin e televizionit dhe nuk do të arrijë ta bëjë këtë.

Sekretari i Përgjithshëm i PL-së nënvizon se liria e medias nuk mund të mposhtet me dhunë dhe se e vërteta nuk mund të heshtet përmes presionit.

Në reagimin e tij, Blushi vlerëson gjithashtu qëndresën e gazetarëve dhe të gjithë stafit të News24, të cilët, pavarësisht vështirësive, vijojnë të mbrojnë fjalën e lirë dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.

Deklarata e Blushit
Në këto orë dhe ditë vendimtare për çlirimin e Shqipërisë, News24 qëndron me kurajë dhe dinjitet në anën e lirisë dhe të së vërtetës, përkrah atyre pak mediave të lira që, mes sakrificash të shumta, kanë mbijetuar këto vite përballë dhunës dhe presionit të pushtetit.
NEWS 24 nuk u përkul përballë tritolit, dhunës, rrahjeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, gjobave arbitrare të tatimeve apo uzurpimit brutal të godinës.
Asnjë nga këto akte kriminale nuk e ka shuar zërin e saj dhe as nuk do ta shuajë.
Me kërcënime, Edi Rama ta harrojë se mund ta nënshtrojë apo ta rrëzojë News24.
Liria e medias nuk mposhtet me dhunë dhe e vërteta nuk heshtet dot me presion.
Pas një kalvari të pandërprerë dhune dhe përpjekjesh për t’i rrëmbyer pavarësinë, News24 ka qëndruar në këmbë dhe do të vijojë të jetë një dritare lirie, një zë i pavarur dhe një dëshmi e gjallë se rruga e vështirë e zgjedhur në mbrojtje të fjalës së lirë është rruga e dinjitetit dhe e përgjegjësisë publike.
Mirënjohje dhe respekt për profesionalizmin, kurajën dhe qëndresën e gazetarëve dhe të gjithë stafit të News24, të cilët, pavarësisht presioneve dhe vështirësive, vijojnë të mbrojnë fjalën e lirë dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.
Një media që nuk përkulet përballë joshjeve apo dhunës së pushtetit është më shumë se një redaksi, është një garanci për triumfin e LIRISË.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb