Pamjet e katër ditëve të protestës në Tiranë ngrenë pikëpyetje serioze për drejtimin, trajnimin dhe kontrollin e Policisë së Shtetit. Përdorimi i forcës, fjalori poshtërues ndaj të rinjve rrugëve të Tiranës dhe shkeljet e dokumentuara nuk mund të fshihen pas uniformës apo të reduktohen në përgjegjësi individuale. Nevojitet hetim i gjithë zinxhirit të komandimit dhe përgjegjësisë politike.
Por për të kuptuar si mbërritëm deri këtu, shohim pak çfarë ka ndodhur brenda policisë.
Për vite me radhë, janë ngritur akuza për ndërhyrje informale në emërime, konkurse dhe karriera profesionale. Janë larguar nga detyra oficerë profesionistë me karrierë të gjatë duke i lënë cepave nëpër zyra që nuk i hyjnë në punë as dreqit, për ti zëvendësuar me militantë partie e besnikë të devotshëm të pushtetit, që s’kanë asnjë lidhje me profesionalizmin.
Në këtë kontekst është përmendur Ergys Agasi, bashkëpunëtori yt i afërt, për të cilin janë ngritur akuza për emërime tē krerëve dhe ndikim në vendimmarrje në funksionimin e disa institucioneve, sidomos në Policinë e Shtetit.
Zoti Kryeministër i socialistëve, policia nuk ndërtohet me miq, telefonata e ndërhyrje politike. Ndërtohet me shkollim, trajnim, meritë dhe disiplinë. Porvti prej kohësh i ke braktisur dhe është dhimbje e madhe ti shohësh në terren kur gjuajnë qytetarët, fëmijët, studentët kur në fakt, duhet ti mbrojnë dhe garantojnë të drejtat.
Kur profesionistët në uniformë nënshtrohen ndaj njerëzve me pushtet, zhvishen nga çdo lloj dinjiteti njerëzor. Tani karriera varet nga lidhjet dhe jo nga aftësia, e pasojat janë afatgjata e të pariparueshme, pasi është dëmtuar institucioni dhe është rrënuar autoriteti i ligjit. Dhe kjo që po shohim në rrugët e Tiranës është pikërisht pasoja e këtij rrënimi të policisë.
Siç e sheh, pasojat nuk mbeten brenda institucioneve. Po i shohim edhe në rrugë.
Uniforma nuk të jep të drejtën të poshtërosh qytetarët. Urdhri nuk të përjashton nga përgjegjësia personale. Policia duhet të dallojë protestuesin nga autori i një vepre penale dhe të përdorë forcën vetëm kur është e ligjshme, e domosdoshme dhe proporcionale.
Çdo shkelje e dokumentuar duhet të hetohet. Duhet të verifikohen urdhrat, të identifikohen përgjegjësit dhe të shqyrtohet roli i drejtuesve. Kur provohen shkelje, pasojat duhet të jenë administrative, disiplinore dhe penale, sipas ligjit.
Po, edhe policët janë sulmuar.
Sulmet ndaj tyre janë të papranueshme dhe duhen hetuar. Por asnjë sulm nuk i jep policisë të drejtën të shkelë ligjin.
Ligji nuk ndryshon sipas uniformës.
Edi Rama, Policia e Shtetit nuk është pronë e qeverisë as gardë personale e pushtetit që ta përdorësh sipas qejfit dhe humorit tënd. Ajo nuk ekziston për të mbrojtur qeverinë nga qytetarët, por garanton sigurinë dhe të drejtat e tyre.
Prandaj, përgjegjësia nuk mbaron te efektivi që shfaqet në një video. Ajo shkon deri tek ju, te ata që japin urdhra, caktojnë drejtues, përcaktojnë standardet dhe kontrollojnë zbatimin e ligjit.
Pyetja është e qartë: kush mban përgjegjësi për atë që ndodh në rrugët e Tiranës dhe kush do të hetojë zinxhirin e plotë të përgjegjësisë?
Shteti i së drejtës provohet duke respektuar ligjin pikërisht kur pushteti ndihet i sfiduar. Nuk provohet duke rrufitur kafen në mëngjes, live në Facebook e duke treguar një realitet që ekziston vetëm në zyrën e në partinë tënde, por kurrsesi të shqiptarëve.
Policia u përket qytetarëve. Përgjegjësia për veprimet e saj nuk i shmanget atyre që e drejtojnë.
