Protestat e të rinjve në Tiranë vijojnë prej shtatë ditësh, ndërsa përplasjet dhe tensionet kanë nxitur reagime të forta edhe nga artistë të njohur shqiptarë, të cilët kanë bërë thirrje për ndalimin e saj dhe për një zgjidhje urgjente, përpara se situata të përshkallëzohet më tej.

Përmes mesazheve të publikuara, artistët kanë shprehur shqetësimin për përballjen mes shqiptarëve dhe rrezikun që, sipas tyre, po u kanoset të rinjve në protestë. Apeli i tyre është i qartë: jeta njerëzore duhet të jetë mbi çdo interes politik dhe asnjë kundërshti nuk duhet të kthehet në urrejtje apo dhunë.

Moderatorja Bora Zemani ka shprehur dhimbjen për atë që e cilëson si shkatërrim, urrejtje dhe përballje mes shqiptarëve. Ajo kërkon reagim dhe zgjidhje urgjente, duke paralajmëruar për pasojat që mund të ketë vijimi i situatës.

“STOP KËSAJ MARRËZIE! MJAFT ME! Më dhemb shpirti të shoh këtë shkatërrim, këtë urrejtje, këtë luftë shqiptari me shqiptarin! Deri kur kështu?! Sa jetë të rinjsh duhet të rrezikohen që të ndërgjegjësohemi?! DUHET REAGIM DHE ZGJIDHJE URGJENTE! Përpara se të jetë tepër vonë, përpara se familjet të vishen në zi! Asgjë nuk vlen më shumë se jeta! Shqiptari nuk mund të shkatërrojë shqiptarin!”, shkruan Zemani.

Ndërkohë, këngëtarja Elvana Gjata ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të dhunës ndaj të rinjve, duke theksuar se kushdo që ushtron dhunë duhet të mbajë përgjegjësi.

Ajo shprehet gjithashtu se përdorimi i forcës për të ndalur protestën mund të sjellë efektin e kundërt, duke shtuar mbështetjen për protestuesit, studentët dhe të rinjtë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Dhuna ndaj të rinjve duhet të ndalet menjëherë! Kushdo që dhunon, do ta mbajë përgjegjësinë! Kush mendon se me përdorimin e forcës do ta ndalë protestën, gabohет. Vetëm do ta rrisë mbështetjen!”, shkruan këngëtarja, duke shtuar se historia ka qenë dhe do të jetë në anën e popullit, protestuesve, studentëve dhe të rinjve.

Në të njëjtën linjë është pozicionuar edhe këngëtarja Xhensila Myrtezaj, e cila ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë kundër dhunës dhe përplasjes mes shqiptarëve.

“Asnjë kolltuk nuk vlen sa jeta e një shqiptari! STOP VËLLAVRASJES!”, shkruan Myrtezaj.

Edhe këngëtari nga Kosova, Tim Ademi, i njohur si True Kapo ka reaguar në lidhje me protestat.

“Thirrje për mediat e Kosovës! Ajo që po ndodh në Shqipëri nuk duhet të kalojë në heshtje. U bëj thirrje mediave të Kosovës që t’i kushtojnë vëmendjen dhe hapësirën e merituar zërit të qytetarëve që po protestojnë. Gazetaria nuk është vetëm profesion, por edhe përgjegjësi morale ndaj së vërtetës dhe interesit publik.
Nuk kërkoj raportim të njëanshëm, por raportim të drejtë, të pavarur dhe pa censurë. Të dokumentohet çdo padrejtësi, çdo shkelje e të drejtave dhe çdo keqpërdorim i pushtetit, pa fshehur asnjë fakt. Kufiri na ndan administrativisht, por e vërteta dhe përgjegjësia për njëri-tjetrin nuk njohin kufij.
Heshtja nuk duhet të jetë zgjedhje”, shkruan ai.

Reagimet e artistëve vijnë në një kohë kur protestat e të rinjve në kryeqytet vijojnë prej disa ditësh, ndërsa thirrjet për ndalimin e dhunës dhe gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë po bëhen gjithnjë e më të forta. Mesazhi i përbashkët i tyre është që asnjë interes politik të mos vihet mbi jetën e qytetarëve dhe që situata të mos përfundojë me pasoja të parikuperueshme për familjet shqiptare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb