Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për keqpërdorimin e Policisë së Shtetit dhe nxitjen e saj kundër qytetarëve.
Në reagimin e tij, Salianji e cilëson Ramën si “porositës me pagesë të dhunës”, ndërsa ngre dyshime për deklaratën e Ramës sot kur tha se do të shpërblente me 2,500 euro efektivët e policisë.
Sipas Salianjit, pas 14 vitesh në pushtet, qeveria e Ramës ka dëmtuar institucionin e Policisë së Shtetit dhe tashmë po e përdor atë kundër popullit.
Reagimi i Salianjit:
Rama porositësi me pagesë i dhunës! 2500 euro për të dhunuar fëmijët e shqiptarëve! 2500 euro për të ruajtur Edi Ramën nga populli që duhet të përfaqësonte!
Edi Rama sot nuk po shpërblen policinë, por po blen besnikërinë e saj për të mbrojtur pushtetin dhe për t’iu shmangur llogaridhënies. Po i nxit me pagesë shtesë në kulmin e përplasjeve ku koston në emër të pushtetit po e marrin punonjesit e policisë e ku shumë policë po mendojnë të tërhiqen dhe bashkohen me protestuesit!
Ky që prej 14 vitesh e ka degjeneruar Policinë e Shtetit: me paga të ulëta, orë shtesë të papaguara, bonuse të mohuara, tallje me kuponin ushqimor, promovim të lidhjeve me krimin dhe goditje ndaj policëve të ndershëm.
Sot, kur i rrezikohet pushteti, me paratë e taksave të qytetarëve, të cilët i ka varfëruar, nxit policinë të përballet me dhunë me protestuesit që kërkojnë llogari.
Pa Edi Ramën, Shqipëria do të ketë një polici dinjitoze! Me paga të larta, me të drejta të garantuara dhe me promovim mbi bazën e meritës, jo të bindjes ndaj pushtetit.
