Mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e Lisbonës, kryeqytetit të Portugalisë, për të protestuar kundër kostove të larta të strehimit dhe politikave të qeverisë për tregun e qirave.
Protestuesit u mblodhën të martën në sheshin Rossio, ku kërkuan masa konkrete për garantimin e banesave me çmime të përballueshme. Me pankarta, thirrje dhe flakadanë, ata kundërshtuan situatën e krijuar në tregun e banesave, ndërsa një prej mesazheve kryesore ishte: “Një shtëpi nuk mund të jetë privilegj”.
Demonstrata të ngjashme u zhvilluan edhe në qytete të tjera të Portugalisë, duke shprehur pakënaqësinë e qytetarëve ndaj kostove të strehimit.
Situata në Lisbonë u tensionua pasi policia ndërhyri gjatë ditës për të larguar kampin me çadra që protestuesit kishin ngritur në sheshin Rossio. Pavarësisht ndërhyrjes së forcave të rendit, demonstruesit nuk u tërhoqën dhe shumë prej tyre u rikthyen në shesh gjatë mbrëmjes.
Në një asamble publike, protestuesit votuan për të vijuar mobilizimin, duke vendosur të rikthehen ditën e nesërme dhe të ngrenë sërish çadrat në shesh.
Përveç kostove të larta të banesave, qytetarët kundërshtojnë edhe planet e fundit të qeverisë portugeze për të lehtësuar kufizimet mbi rritjen vjetore të qirave dhe për të thjeshtuar procedurat e dëbimit të qiramarrësve që nuk përmbushin detyrimet financiare.
