Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka komentuar protestat kundër qeverisë dhe qëndrimin e kryeministrit Edi Rama përballë kërkesave të qytetarëve për dorëheqjen e tij.
Duke përdorur një krahasim me futbollin, Topi deklaroi se protestuesit paqësorë i kanë treguar për 137 ditë kryeministrit “kartonin e verdhë”, por mungesa e reflektimit nga ana e tij ka bërë që tashmë qytetarët t’i tregojnë “kartonin e kuq”.
Sipas ish-kreut të shtetit, Rama nuk mund të vazhdojë të kërkojë dialog me protestuesit pasi, sipas tij, ka shpërfillur për muaj me radhë mesazhet e tyre.
“Për 137 ditë protestuesit paqësorë i treguan kryeministrit, si në futboll, kartonin e verdhë. Ai jo vetëm që nuk reflektoi këtu, por shton fajin e tij dhe dalin njerëzit dhe tani i tregojnë kartonin e kuq. Kur ti merr kartonin e kuq, nuk ke të drejtë të komunikosh me arbitrin, që në këtë vend janë njerëzit”, deklaroi Topi.
Ish-Presidenti u ndal edhe te mënyra e ushtrimit të pushtetit nga Rama, duke theksuar se sjellja e tij aktuale nuk është e papritur, por, sipas Topit, lidhet me mënyrën e të menduarit dhe drejtimit që ka shfaqur prej kohësh.
“Unë kam mjaftueshëm njohuri për të përcaktuar arsyet pse sillet ai në këtë mënyrë. Unë kam një kundërpyetje: Sjelljen e tij e shohim sot? Në fiziologji thuhet se struktura përcakton funksionin dhe funksionet përcaktohen nga struktura. Dhe kjo strukturë e të menduarit, që e njohim prej kohësh, nuk ka si të mos ekspozohet sot, kur ai ka të gjitha pushtetet”, u shpreh Topi.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për largimin e figurave intelektuale nga jeta politike dhe për mënyrën se si funksionon konkurrenca brenda sistemit politik shqiptar.
Sipas Topit, personalitete të njohura të jetës publike, të cilat kanë tentuar të konkurrojnë me drejtuesit kryesorë politikë, janë nxjerrë jashtë skenës politike, duke krijuar një boshllëk që po mbushet nga njerëz pa përgatitjen e duhur.
“Cilido emër që ka qenë emër elitar, që tentoi të konkurrojë me dy bajlozët, jo vetëm është masakruar në zgjedhje, por ka dalë jashtë orbite, nuk e llogarit njeri. Këta njerëz ishin intelektualë, të kulturuar, shkrimtarë, autorë librash, shkencëtarë. Këta i ke jashtë”, deklaroi ish-Presidenti.
Në përfundim, Topi kritikoi drejtuesit e partive politike, duke i bërë përgjegjës për krijimin e një vakumi në përfaqësimin politik dhe për mënjanimin e njerëzve që, sipas tij, kanë aftësitë e nevojshme për të kontribuar në hartimin e ligjeve.
“Dhe më thoni, a ka gjë që bëhet pa koshiencë këtu, kur ky vakum, për shkak të liderëve të partive, mbushet me njerëz mediokër dhe ikën pjesa intelektuale që mund të ketë aftësi për të realizuar ligje?”, tha Bamir Topi.
Deklarata e plotë:
Për 137 ditë protestuesit paqësorë i treguan karton të verdhë kryeministrit për këtë dhe këtë… Ai jo vetëm nuk reflekton, por shtoi fajin dhe i nxorën kartonin e kuq. Tani kur arbitri të nxjerr kartonin e kuq ti nuk ke të drejtë të komunikosh me arbitrin. Dhe arbitri në këtë rast janë njerëzit. Unë kam mjaftueshëm njohuri për të përcaktuar arsyet pse sillet ai në këtë mënyrë. Sjelljen e tij e sheh sot ti? Në fiziologji thuhet se struktura përcakton funksionin dhe funksionet përcaktohen nga struktura. Kjo lloj strukture e të menduarit që ne e njohim prej kohësh nuk ka si të mos ekspozohet sot që ai ka të gjitha pushtetet. Unë s’dua të përmend emra këtu, që tentoi të konkurrojë me 2 bajlozë, jo vetëm i masakruan në zgjedhje, por kanë dalë jashtë orbite, nuk i llogarit njeri. Ishin intelektualë, shkrimtarë librash, shkencëtarë, këto i ke jashtë. Dhe më thoni ju që a ka gjë që bëhet pa koshiencë këtu, ku ky vakuum për shkak të listës së kryetarëve të partive mbushet me mediokër dhe ikën pjesa intelektuale që mund të ketë aftësi për të realizuar ligje.
