Nga Evarist Stoja
Në fillim gjithçka ishte premtim: Evropë, punë, drejtësi, një shtet në shërbim të qytetarit e jo të miqve. Dhe një betim mallëngjyes, i përsëritur me solemnitet sa herë që jepej rasti: shqiptarët nuk do të tradhtoheshin kurrë. Betimi i mbijetoi edhe ndjesës. Kur në maj të 2024-ës, nga Athina, kryeministri kërkoi ndjesë publike për gabimet e dhjetë viteve, nuk harroi të shtonte se shqiptarët nuk i kishte tradhtuar kurrë. Gabime, po. Tradhti, kurrë!
Ndërkohë, goditjet vijnë zinxhir. Dy nga premtimet e shumta se do vjedhim, po do vjedhim bukur, njerëzit pranë tij mbajtën vetëm atë të parin. Një ish-zëvendëskryeministër u shpall në kërkim ndërkombëtar për inceneratorin e Elbasanit dhe për pasuri të pajustifikuar. Kryebashkiaku i Tiranës u arrestua: prokuroria e akuzon se ai dhe bashkëshortja futën në xhep shuma marramendese, një pjesë e të cilave u bënë rroba luksi e bizhu. Te tenderat e AKSHI-t, prokuroria pretendon se dikush që guxoi të ankohej u mbajt peng me ndihmën e disa zyrtarëve të policisë, derisa hoqi dorë nga garat. Biznesmeni që, sipas prokurorisë, e mbajti peng dhe që akuzohet bashkë me vetë drejtoreshën e AKSHI-t, ishte tetë muaj në arrati. E kush dyshohet se e ndihmoi? Vetë shefja e shërbimit sekret. Pa përmendur ish-ministrat e Rendit, të Mjedisit, të Shëndetësisë e të Mbrojtjes, e zyrtarë të tjerë, të dënuar, të akuzuar ose nën hetim.
Një tjetër ish-zëvendëskryeministre akuzohet për tetë tendera të manipuluar, me një dëm për buxhetin që prokuroria e çmon rreth 251.000.000 euro – mbi 100 euro për çdo banor të vendit – dhe dyshohet se si shpërblim mori dy vila në Jug, të fshehura në emra të tjerë. Kur prokuroria kërkoi arrestimin e saj, 82 deputetë të shumicës votuan kundër. Mes tyre, edhe kryeministri.
Pas çdo goditjeje, i njëjti skenar: një premtim i ri, edhe më i madh, dhe premtimi më i madh i të gjithëve është Evropa. Kjo nuk është keqqeverisje e rastit. Është cikli i një marrëdhënieje abuzive. Dhe cikli ushqehet me fjalë. Për një kohë të gjatë, zgjidhja për çdo problem imazhi të qeverisë ishte “më shumë komunikim”: podkaste, transmetime të drejtpërdrejta, video e fjalime mallëngjyese pa fund. Tani kryeministri kërkon të flasë me protestuesit, po njeri nuk do që ta dëgjojë. Fjala e tij është xhaba – oferta e ka tejkaluar kërkesën.
Prej muajsh, shqiptarët dalin në rrugë – fillimisht për flamingot, pastaj për korrupsionin, pastaj për gjithçka. Prej gati dy javësh u janë bashkuar edhe studentët. Kundër një qeverie që nuk i mbështet: që u merr tarifa e u jep kushte të mjera, që u jep diploma po jo shpresë për punë. Kërkesat e tyre nuk mbarojnë te dera e universitetit. Kërkojnë arsim të denjë, kërkojnë fund të korrupsionit, kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit. Kryeministri thotë se ky nuk është një fenomen studentor. Këtu ka plotësisht të drejtë: është zëri politik i një brezi të tërë. Viktima më në fund ka thënë “mjaft”.
Përgjigjja ka reminishenca të një kohe tjetër. Gaz lotsjellës. Autobotë. Shkopinj gome. Dhe pastaj, për herë të parë, plumba gome. Drejtori i Policisë e pranoi vetë, duke na qetësuar të gjithëve se ishin përdorur vetëm në mënyrë të kufizuar. Shtatë policë u pezulluan, në pritje të hetimit nëse e kaluan cakun. Vetëm ndaj gazetarëve, Asociacioni i Gazetarëve ka numëruar 43 raste dhune, kërcënimesh apo pengimi që kur nisën protestat.
Klevin Mukën e njoh prej vitesh. Është gazetar i News24 dhe nga më të mirët. Është baba i kujdesshëm i fëmijëve të vegjël. Klevi mund të mos pajtohet fare me kryeministrin. Por e do Shqipërinë një vend normal evropian po aq sa kushdo tjetër, edhe për fëmijët e tij. Teksa raportonte nga protesta, uji i autobotit i la në trup shenja si nga një djegie e shkallës së parë. Asociacioni i Gazetarëve dyshon se uji ishte i përzier me piper. Klevi nuk po hidhte gurë. Po bënte punën e vet: po na tregonte ne të tjerëve çfarë ndodh në Tiranë.
Dhuna ngado të vijë është e papranueshme. Brenda pak ditësh, përveç protestuesve, u plagosën edhe 169 policë. Edhe ata janë viktima të kësaj marrëdhënieje: baballarë, vëllezër e djem të dikujt, të dërguar në vijën e parë për të mbajtur mbi supe një zemërim që nuk e kanë shkaktuar ata. Kjo dhunë nuk justifikohet, dhe i bën dëm pikërisht kauzës që thotë se mbron, sepse i jep qeverisë alibinë që kërkon. Shteti nuk është turmë. Forcën e ka në dorë pikërisht që ta përdorë me masë, kundër atij që shkel ligjin, jo kundër kujtdo që ndodhet aty pranë. Kur dhuna e disave bëhet leje për të goditur këdo, shteti nuk po ruan më rendin. Po flet me gjuhën e çdo abuzuesi, që godet e pastaj ia hedh fajin viktimës: “Shih ç’më detyrove të bëj.”
Edhe prezumimi i pafajësisë, me sa duket, ka dy standarde. Në mars, kryeministri e quajti atë “e vërteta e madhe” e drejtësisë dhe u ngrit kundër atyre që e donin ish-zëvendëskryeministren në burg “pa u hapur dera e gjyqit”. Madje shkoi më tej: deklaroi se ajo ishte e pafajshme pa e sqaruar nga i vinte ajo siguri. Në fund të qershorit, vetë kryeministri publikoi fotografinë e një protestuesi bashkë me tetë procedime ndaj tij, pa përmendur asnjë vendim gjykate. Për protestuesit, e vërteta e madhe u bë papritur shumë më e vogël.
E ndërsa për zyrtarët mburoja sa vjen e zgjerohet, për fëmijët ndodh e kundërta. Pasi gjykata pezulloi zëvendësen e tij, kryeministri propozoi një ligj që do t’i mbronte anëtarët e qeverisë dhe kreun e shtetit nga largimi nga detyra deri në një vendim të shkallës së parë. Dhe tani, një projektligj i ri për Kodin e Procedurës Penale do t’i përjashtonte nga masat e arrestit veprat me dënim deri në pesë vjet, ku bëjnë pjesë, sipas medias, edhe disa nga akuzat ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe kryebashkiakut të Tiranës. Madje do të ndalonte edhe bërjen publike të faktit që dikush është nën hetim. Ndërkohë, të paktën 204 të mitur janë arrestuar ose proceduar penalisht gjatë protestave. Avokati i Popullit gjeti se pesë nga tetë të miturit e mbajtur në një komisariat thoshin se ishin rrahur e fyer nga policia. Dhe vetë kryeministri thotë se po studion uljen e moshës së përgjegjësisë penale nën 14 vjeç. Për zyrtarët, imunitet më i gjerë. Për fëmijët, përgjegjësi penale më herët. Si në çdo marrëdhënie të tillë, rregullat vlejnë vetëm për njërën palë.
Kush po tradhton kë? Ai që u betua se nuk do t’i tradhtonte kurrë shqiptarët tani thotë se tradhti do të ishte pikërisht largimi i tij: tradhti ndaj atyre që i dhanë mandatin për të përmbyllur negociatat me BE-në. Të ikë, tradhti. Të qëndrojë, me autobotë e plumba gome, qenka besnikëri. Rruga e Shqipërisë për në Evropë nuk ka si të lidhet detyrimisht e vetëm me një person, kushdo qoftë ai. Dhe protesta? Sipas tij, s’ka të bëjë fare me hallet e njerëzve; pas saj qëndrojnë duar të huaja që nuk e duan Shqipërinë në paqe. Asnjë reflektim se protestat janë pasqyrë e korrupsionit endemik që ka kapluar pushtetin.
Kryeministri u kërkoi shqiptarëve të mendohen mirë: a duan këtë, apo Bashkimin Evropian? Pyetje e drejtë. Por ua ka bërë njerëzve të gabuar. Studentët në shesh, gazetari me lëkurën e djegur, qytetarët pas kordonit e kanë dhënë përgjigjen prej kohësh: duan Evropën. Dhe janë pikërisht ata që po i marrin goditjet sepse nuk e duan më qeverisjen e tij.
Kur donte të largonte një president, kryeministri
thoshte se Shqipërisë duhet t’i japim një president normal. Tani Shqipëria ka nevojë edhe për një kryeministër normal.
