Java e tetë e Serisë A dhuroi emocione dhe përmbysje dramatike. Interi triumfoi 2-1 ndaj Fiorentinës, falë një goli në minutën e 97-të, duke ruajtur kreun e renditjes në kuotën e 22 pikëve, po aq sa Lazio.

Në “San Siro”, Fiorentina kaloi në avantazh në minutën e 64-t me Jimenezin, por Thuram barazoi në fundin e kohës së rregullt. Në minutën e 97-të, Zielinski shndërroi në gol një penallti,të fituar nga sulmuesi francez, duke vulosur fitoren dramatike të zikaltërve. Fiorentina mbetet me vetëm katër pikë në fundin e tabelës.

Rikthehet te fitorja edhe Juventusi, pas një periudhe negative, duke mposhtur 2-0 Leccen. McKennie zhbllokoi rezultatin në minutën e 29-të, ndërsa Douglas Luiz dyfishoi shifrat në të 41-tën. Bardhezinjtë administruan avantazhin në pjesën e dytë dhe shkojnë në kuotën e 14 pikëve, ndërsa Lecce mbetet me nëntë.

Fitore të rëndësishme regjistroi edhe Milani, që la pas humbjen e rëndë 3-0 ndaj Bournemouth të 3 ditëve më pare në Europa League, duke triumfuar 2-0 në transfertën ndaj Udineses. Pulisic kaloi kuqezinjtë në avantazh, ndërsa Hutchinson vulosi rezultatin në minutën e 65-të. Me këtë sukses, Milani shkon në kuotën e 18 pikëve, duke barazuar Romën në renditje. Udinese, ndërkohë, regjistron humbjen e gjashtë radhazi dhe mbetet pranë zonës së rënies nga kategoria.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: