Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po përdor dhunën policore kundër studentëve që prej dy javësh protestojnë dhe kërkojnë largimin e tij nga pushteti. Duke iu referuar zhvillimeve politike në Serbi dhe rënies së Aleksandar Vuçiçit, Balliu deklaron se kryeministri shqiptar po humbet një prej aleatëve të tij më të rëndësishëm në rajon. Sipas deputetit demokrat, protestat studentore kanë nxjerrë në pah dallimet mes mënyrës se si po trajtohet kriza politike në Serbi dhe reagimit të qeverisë shqiptare ndaj të rinjve.

Në një reagim publik me titull “As në nivelin e kriminelit Vuçiç nuk je, Edi Rama!”, Balliu shprehet se dobësimi politik i ish-presidentit serb prek drejtpërdrejt edhe pozitat e kryeministrit shqiptar. “Rënia e Vuçiçit shënon njëkohësisht edhe rënien e njërës prej shtyllave të rëndësishme të mbështetjes ndërkombëtare të Edi Ramës. Për vite me radhë, Vuçiçi ka qenë një aleat i rëndësishëm i Ramës në rajon dhe dobësimi i tij politik prek edhe ekuilibrat që i kanë shërbyer kryeministrit shqiptar”, shkruan Balliu.

Deputeti demokrat ndalet te protestat e studentëve në të dy vendet, duke akuzuar Ramën se, në vend të dialogut dhe zgjidhjes politike, ka zgjedhur përballjen me qytetarët përmes forcave të policisë. Balliu akuzon gjithashtu kryeministrin se nuk pranon t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira, ndërsa e cilëson qëndrimin e tij ndaj protestave si përpjekje për të ruajtur pushtetin. Në përfundim, Balliu i drejton një paralajmërim politik kryeministrit, duke deklaruar se vazhdimi i përplasjeve me protestuesit do ta thellojë edhe më shumë krizën në vend.

REAGIMI
AS NË NIVELIN E KRIMINELIT VUÇIÇ NUK JE, EDI RAMA!

Rënia e Vuçiçit shënon njëkohësisht edhe rënien e njërës prej shtyllave të rëndësishme të mbështetjes ndërkombëtare të Edi Ramës. Për vite me radhë, Vuçiçi ka qenë një aleat i rëndësishëm i Ramës në rajon dhe dobësimi i tij politik prek edhe ekuilibrat që i kanë shërbyer kryeministrit shqiptar.

Studentët serbë, përmes protestave disamujore, sfiduan një pushtet të akuzuar për korrupsion dhe kapje të institucioneve. Ndërsa në Serbi kërkohet një zgjidhje politike, Edi Rama u përgjigjet studentëve shqiptarë me dhunë policore.

Aleksandër Vuçiçi, me të kaluarën e tij të lidhur me regjimin e Millosheviçit dhe nacionalizmin antishqiptar, po përballet me presionin për ndryshim, ndërsa Rama nuk pranon as të hapë rrugën për zgjedhje të lira.

Ky është dallimi që tregon thellësinë e krizës në Shqipëri. Në vend që të dëgjojë rininë, Rama zgjedh represionin për të mbrojtur pushtetin e tij.

Edi Rama ka dy rrugë: të largohet përmes votës së lirë ose të vazhdojë përplasjen me qytetarët, duke e thelluar krizën politike.

Rama mund të zgjedhë rrugën e Vuçiçit dhe të përballet me drejtësinë për çdo shkelje të provuar, ose të vazhdojë rrugën e përplasjes me popullin. Shqipëria nuk ka nevojë për një Gadaf të ri, por për liri, demokraci dhe zgjedhje të vërteta!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb