Analisti Erl Murati, i ftuar në emisionin Minuta e parë komentoi humbjen e Aleksandar Vuçiç në zgjedhjet serbe.

Murati theksoi se zgjedhjet në shtetin serb treguan se kur populli ngrihet, autokrati nis të bjerë.

“Zgjedhjet në Serbi treguan se edhe regjimet bien. Një lajm pozitiv ishte se shqiptarët do kenë dy deputetë në shtetin serb. Kur populli ngrihet, edhe autokratët bien. Vuçiç është ultra-nacionalist, që ka qenë gjithmonë kundër shqiptarëve. Radoiçiç, që kreu aktin terrorist në veriun e Kosovës, ishte aleat i Vuçiçit. Aleksandar Vuçiç ishte ushtar i Rusisë dhe ashtu ka vepruar”, tha Murati.

Duke folur për protestat në Shqipëri, Murati vlerësoi se Vuçiç e Rama kanë qenë aset të njëri-tjetrit.

Shtoi se zgjedhjet në Serbi treguan se kur autokratit i merren këmbët, vjen edhe përmbysja.

“Lëvizja studentore në Serbi dhe ajo në Shqipëri ngjajnë me njëra-tjetrën. Edhe në Shqipëri ka bashkësi të madhe në tubime të personave që kanë mendime të ndryshme, sikundër ndodhi në Beograd. Edhe në Tiranë, në të njëjtin shesh shohim Arlind Qorin, shohim Agron Shehajn, studentë, njerëz nga kryeqyteti dhe periferia, një bashkësi njerëzish që duan ta ndryshojnë realitetin përmes rrugës.

Vuçiç vetë tha se Rama është sjellë butë me studentët dhe deklaroi se nëse në Shqipëri shpallen zgjedhje të parakohshme, Rama do e ketë të vështirë që të fitojë. Në Serbi, në zgjedhje të parakohshme Vuçiç humbi. Vuçiç e quajti aset Ramën. Po, Vuçiç dhe Rama kanë qenë aset të njëri-tjetrit, sepse kanë tentuar të shiten si faktorë stabiliteti. Edhe Open Balkan për pak desh i vuri zjarrin rajonin. Zgjedhjet në Serbi treguan se kur autokratit i merren këmbët, përmbysja është afër. Rezultati në Serbi është një lajm i mirë për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë”, u shpreh Murati.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb