Analisti Genc Burimi ka komentuar situatën politike në vend, protestat kundër qeverisë dhe qëndrimet e kryeministrit Edi Rama, duke bërë një paralelizëm mes tij dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
Sipas tij, protestat për largimin e Ramës, synojnë edhe tërheqjen e vëmendjes së kancelarive europiane ndaj zhvillimeve në vend.
Sipas Burimit, në një moment, partnerët europianë mund të vlerësojnë se mbështetja për vazhdimin e qeverisjes së Ramës ka një kosto më të lartë sesa ndryshimi politik.
Ai përmendi si skenarë të mundshëm presionin ekonomik ndaj qeverisë ose përdorimin e çështjeve që lidhen me drejtësinë.
“Autokrati në Beograd ra dhe ky i Tiranës nuk do rezistojë më gjatë. Në Serbi edhe Vuçiç kishte të njëjtën shpresë si Taulant Balla sot. Por kjo protestë në Shqipëri ka në synim jo vetëm Edi Ramën por të nxjerrë nga heshtja edhe kancelaritë europianë. Këto kancelari reagojnë pas dhe jo përpara, pasi reaguan pas për rezultatet e protestave në Serbi. Në një moment të caktuar do bëjë llogari që mbase mbajtja e Edi Ramës në pushtet që po e bëjnë këto kancelari është më e kushtueshme se zëvendësimi i tij dhe si në Serbi, ose do ta vënë Ramën në një embargo ekonomike ose do t’i thonë Ramës e ke dosjen në SPAK. Ose prano negociatën e qeverisë teknike ose do largohesh me pahir, drejt kësaj po shkojmë”, tha ai.
Gjithashtu gjatë intervistës nënvizoi se me rënien e Aleksandër Vuçiç nis edhe ‘plasaritja e parë’ dhe se Rama sot është pa mbrojtje.
“Rama sot për sot asgjë sd’o sakrifikojë, por sa më shumë do shtohet presioni në rrugë, aq më shumë do lëshojë pe. Me rënien e Vuçiç nisi edhe plasaritja e parë, ra njëra anë e çiftit një element. Rama sot është pa mbrojtje”, tha ai.
